Në prill të vitit 1792, gijotina përdoret për herë të parë në Francë gjatë ekzekutimit të një të dënuari
Nga Leonard Veizi
Në Parisin e vitit 1792, ajri nuk mbante vetëm aromën e barutit dhe të bukës së munguar, por edhe peshën e një ankthi të ri, metalik. Ndërsa dielli lindte mbi sheshin “Place de Grève” , një hije e hollë dhe e gjatë vizatohej mbi kalldrëmin e lagur: ishte silueta e gijotinës. Ajo nuk erdhi si një vegël torturash mesjetare, por si një “premtim” modern. Për herë të parë në historinë e dhimbjes njerëzore, vdekja po ofrohej si një akt demokratik…
…Nuk kishte më litarë që këputeshin për të varfrit apo sopata të topitura që kërkonin disa goditje për fisnikët. Tehu i pjerrët, që shkëlqente nën dritën e zbehtë, ishte niveli i madh i barazisë. Atë mëngjes, kur koka e banditit Nikola Pëlëtje (Nicolas Pelletier) ra në koshin me kashtë, nuk u ndërpre thjesht fryma e një njeriu, por u këput filli që lidhte drejtësinë e vjetër me një botë të re, ku makina do të zëvendësonte dorën dhe ku barazia do të kishte mprehtësinë e një tehu të pamëshirshëm.
Paradoksi i makinerisë “humane”
Gijotina mbetet, ndoshta, objekti më paradoksal i modernitetit. Ajo lindi nga mendja e një mjeku, doktor Zhozef Injas Gijotën (Joseph Ignace Guillotin), i cili nuk udhëhiqej nga sadizmi, por nga një lloj keqardhjeje racionale. Propozimi i tij ishte një akt iluminist: të hiqej dorë nga teatri i tmerrshëm i vuajtjes dhe të kalohej në një proces mekanik, të shpejtë dhe pa dhimbje. Por pikërisht këtu fshihej kurthi moral i këtij mjeti. Ideja e doktor Gijotën-ës fillimisht u prit me të qeshura, por më pas u mor në shqyrtim dhe u miratua në vitin 1791.
Barazia si thirrje, vdekja si standard
Revolucioni Francez premtoi “Liberté, Egalite, Fraternite” apo e ardhur në shqip: Liri, Barazi, Vëllazëri. Por kur politika dështoi të prodhonte barazi në jetë – në bukë, tokë dhe votë – ajo e prodhoi atë me sukses absolut në vdekje. Gijotina fshiu dallimet klasore në skelë. Mbreti, mbretëresha dhe fshatari i thjeshtë përballeshin me të njëjtën procedurë, të njëjtin tingull metalik dhe të njëjtin përfundim. Kjo “barazi e tehut” ishte suksesi më i zymtë i revolucionit.
Kirurgjia e shoqërisë
Është domethënëse që Akademia e Kirurgjisë u përfshi në projektimin e saj. Për revolucionarët, gijotina nuk ishte thjesht ndëshkim; ajo ishte një instrument kirurgjikal për të “shëruar” trupin e kombit duke prerë pjesët e “infektuara” – armiqtë e popullit. Ky dehumanizim i ndëshkimit – shndërrimi i ekzekutimit në një proces mekanik – e bëri vrasjen më të lehtë, më masive dhe, në fund të fundit, më të tmerrshme.
Humanizmi që u kthye në terror
Ironia e gijotinës qëndron në faktin se sa më “humane” bëhej metoda, aq më shumë shtohej numri i viktimave. Lehtësia teknike e eliminimit të tjetrit e shndërroi mjetin nga një mbrojtës të dinjitetit të të dënuarit, në një fabrikë terrori. Robespieri (Robespierre) dhe jakobinët zbuluan se barazia para gijotinës ishte mënyra më e shpejtë për të disiplinuar një komb, duke harruar se tehu, sapo vihet në lëvizje, nuk e njeh zotin e tij.
Epilogu
Gijotina nuk është vetëm një relikt i së kaluarës, por një paralajmërim i përjetshëm. Ajo na kujton se kur idealet e larta si “barazia” zhvishen nga humanizmi i vërtetë dhe kthehen në procese të ftohta mekanike, ato mund të shndërrohen në instrumente të tmerrit. Historia e saj na mëson se drejtësia nuk matet me shpejtësinë e tehut, por me vlerën që i jepet jetës përpara se të arrihet te ai.
