Nedra Talley Ross, një nga themelueset e grupit legjendar amerikan The Ronettes, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmi u konfirmua të dielën përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të grupit në Facebook.
“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin për ndarjen nga jeta të Nedra Talley Ross. Ajo ishte një dritë për ata që e njihnin dhe e donin,” thuhej në njoftim. “Si anëtare themeluese e The Ronettes, së bashku me kushërirat e saj Ronnie dhe Estelle, zëri, stili dhe shpirti i Nedrës ndihmuan në krijimin e një tingulli që ndryshoi muzikën përgjithmonë.”
Sipas vajzës së saj, Nedra K. Ross, ajo u nda nga jeta mëngjesin e së dielës, rreth orës 08:30, në shtëpinë e saj, e rrethuar nga familjarët. “Ajo ishte e sigurt në shtratin e saj, në shtëpi, me familjen pranë dhe duke e ditur se ishte e dashur,” shkroi ajo në Facebook. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.
The Ronettes u formuan në vitin 1963 dhe u bënë të njohura me hite si “Be My Baby” dhe “Baby, I Love You”, nën label-in Philles Records të Phil Spector. Grupi u shpërbë në vitin 1967 pas rënies së popullaritetit, por mbeti një nga formacionet më me ndikim në historinë e muzikës pop dhe R&B, si në stil ashtu edhe në modë.
“Be My Baby” u përfshi në Grammy Hall of Fame në vitin 1999, duke forcuar më tej trashëgiminë e tyre muzikore.
Estelle Bennett ndërroi jetë në vitin 2009 në moshën 67 vjeç, ndërsa Ronnie Spector u nda nga jeta në vitin 2022 pas një beteje me kancerin.
Ndërkohë, jeta dhe karriera e Ronnie Spector pritet të sjellë një film biografik të titulluar “Be My Baby”, ku rolin e saj do ta luajë aktorja Zendaya, nën regjinë e Barry Jenkins. Zendaya më herët i kishte bërë një homazh emocional Spector-it pas vdekjes së saj, duke e përshkruar si një “legjendë të vërtetë të rock-ut” dhe një “nder të madh” njohjen e saj.
Me ndarjen nga jeta të Nedra Talley Ross, mbyllet përfundimisht një kapitull i rëndësishëm i historisë së The Ronettes, një grup që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën botërore./mxh
