Last Updated on 27/04/2026 by EL
Pas mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se fokusi kryesor i diskutimeve ishte ecuria e reformave dhe avancimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Balla bëri të ditur se gjatë mbledhjes u raportua nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme dhe kryenegociatorja mbi progresin e negociatave me Bashkimin Europian, përfshirë kalendarin e reformave dhe masat që duhen ndërmarrë në këtë fazë vendimtare. Sipas tij, Shqipëria ka arritur piketa të rëndësishme dhe është në prag të kalimit në fazën e përmbylljes së kapitujve të negociatave.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e mbledhjes, sipas Ballës, ishte adresimi i problematikave që deputetët ngrenë nga zonat e tyre zgjedhore, duke theksuar nevojën për koordinim më të fortë me ministritë përkatëse.
Në përfundim, ai u ndal edhe te rëndësia e “Majit të Europës” dhe 35-vjetorit të Partisë Socialiste, duke nënvizuar se vitet 2026–2027 janë kyçe për përmbylljen e marrëveshjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Kemi përmbyllur disa orë të rëndësishme pune në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar. Ku u fokusuam me ecurinë e deritanishme të bashkëbisedimit për punët e Shqipërisë. E për të vijuar edhe për një pjesë të dimensionit të brendshëm të familjes tonë politike për sa i përket rienergjizimit të strukturave të Partisë Socialiste. Kemi vazhduar me raportim dhe informim shumë të dobishëm nga 2 ministrat, ministri për Europën dhe Punët e Jashtëm dhe Kryenegociatorja, lidhur me ecurinë e negociatave për kalendarin e reformave, dhe masave të tjera të reja që nevojiten në këtë fazë të rëndësishme, të përmbushjes së aspiratës historike shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Europian, jemi në një moment të rëndësishëm ndërkohë që piketa të ndërmjetme, pra themelet e Shqipërisë europiane janë gati për tu raportuar dhe për të marrë konfirmimin e Bashkimit Europian dhe për të shkuar më tej me fazën tjetër që është përmbyllja e kapitujve. Po aq e rëndësishme ishte edhe raportimi i cili erdhi nga sekretaria e grupit parlamentar dhe që ka të bëjë me të gjitha problematikat që deputetët ngrenë për zonat e tyre, sepse shumë e rëndësishme që çdo problem që vjen nga zonat zgjedhore, pra nga 12 qarqet e vendit, të adresohet në komunikimin me ministrat. Në fund, ishte dhe një fjalë e kryetarit, kryeministrit Rama, për atë që është Maji i Europës dhe po ashtu edhe për pjesën që lidhet me vigjiljen e 35-vjetorit historik të Partisë Socialiste, që e gjen vendin dhe e gjen Partinë Socialiste në një moment kaq të rëndësishëm. Nuk kemi qenë kurrë më afër Europës, Bashkimit Europian sesa jemi sot, dhe na duhet që në këto muaj 2026 dhe 2027 të përmbyllim marrëveshjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe më pas bëhemi gati për ratifikimin dhe ditën kur do të ngremë flamurin kuq e zi në oborrin e Brukselit. Ju përshëndes”, thotë Balla./ET
