Last Updated on 27/04/2026 by EL
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare, duke iu referuar të dhënave të fundit nga Instituti i Vjenës (WiiW), sipas të cilave Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për produktivitetin e punës.
Sipas këtyre të dhënave, produktiviteti në Shqipëri është vetëm 34,580 euro për punonjës në vit, ose rreth 42% e mesatares së Bashkimit Europian, një tregues që sipas Tabakut konfirmon se ekonomia shqiptare nuk po prodhon vlerë reale.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, diferenca është e theksuar. Mali i Zi renditet me 47,050 euro për punonjës, Serbia me 46,260 euro, Kosova me 44,970 euro dhe Maqedonia e Veriut me 43,810 euro, çka sipas saj tregon se çdo shqiptar prodhon mbi 10 mijë euro më pak në vit sesa fqinjët e tij.
Tabaku e lidh këtë situatë me modelin ekonomik të ndjekur ndër vite, duke theksuar se ekonomia shqiptare mbështetet kryesisht tek ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, ndërsa mungojnë investimet në teknologji, inovacion dhe sektorë që krijojnë vlerë të qëndrueshme. Sipas saj, kjo është një ekonomi që nuk shpërblen punën, por lidhjen, duke krijuar një sistem të padrejtë dhe të pabarabartë.
Deputetja demokrate nënvizon se pasojat e këtij modeli janë të dukshme çdo ditë: paga të ulëta, largim i të rinjve dhe profesionistëve, si dhe boshatisje e zonave të vendit. Ajo paralajmëron se një ekonomi me produktivitet të ulët nuk varfërohet menjëherë, por zbrazet gradualisht nga burimet më të rëndësishme – kapitali njerëzor dhe besimi tek e ardhmja.
Në përfundim, Tabaku thekson se kjo situatë nuk është e pashmangshme, por rezultat i zgjedhjeve politike, duke bërë thirrje për një ndryshim të modelit ekonomik që vendos në qendër meritokracinë, punën dhe zhvillimin e qëndrueshëm./ET
