Last Updated on 27/04/2026 by EL
Pas zhurmës së krijuar së fundmi në rrjet për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, për të cilët u pretendua se janë cilësuar si idiotë nga ministri për punët e jashtme, Ferit Hoxha është takuar ditën e sotme me një nga liderët e partisë VLEN, Izet Mexhiti.
Takimi vjen pas publikimit të bisedave në grupin e Whatsappit, të publikuara nga Belind Këlliçi, ku pretendohej se Hoxha ka ofenduar diasporën shqiptare, për të cilën VLEN kërkoi nga ministri që të bëjë një kërkimfalje publike.
Nga takimi i sotëm, Hoxha e përgënjeshtroi sërish mesazhin sot pas takimit me Mexhitin. Ndërsa situatën e krijuar ai e cilësoi si tymnajë.
“U ngrit kjo tymnajë dhe u takuam”, u shpreh Hoxha.
Nga ana tjetër, Mexhiti nënvizoi se takimet mes dy palëve duhet të jenë më të shpeshta.
“Po, ashtu siç u tha. Edhe në familje ka zënka. Sot kemi folur për Korridorin VIII”, tha ai.
Ndërsa në përmbyllje të fjalës së tij Hoxha theksoi se asgjë nuk mund ta ndajë marrëdhënien e ngushtë që Shqipëria ka me Maqedoninë e Veriut.
Takimi mes ministrit Hoxha dhe kreut të partisë VLEN vjen një ditë pasi partia në fjalë dënoi veprimin e ministrit të Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha, pas mesazheve prej të cilave pretendohet se ministri iu është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?” në komunikimin e bërë në një grup në Whatsapp./et
