Të paktën 95% e territorit të Evropës regjistroi temperatura vjetore mbi mesataren gjatë vitit 2025, sipas “Raportit Evropian të Statusit të Klimës 2025”, publikuar nga Copernicus dhe Organizata Botërore Meteorologjike.
Raporti thekson se kontinenti është gjithnjë e më i ekspozuar ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, nga rajoni i Mesdheu deri në Rrethin Arktik, me pasoja të dukshme për shoqëritë dhe ekosistemet.
Sekretarja e Përgjithshme e OBM-së, Celeste Saulo, paralajmëroi për “tregues shqetësues të klimës”, duke theksuar se Evropa është ngrohur dy herë më shpejt se mesatarja globale që nga viti 1980. Sipas saj, valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më intensive, duke u shtrirë në vitin 2025 nga Mesdheu deri në zonat arktike.
Viti i kaluar solli rekorde të reja në disa vende, me Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë dhe Islandën që regjistruan temperaturat më të larta ndonjëherë.
Në Evropën veriore, një valë e pazakontë e të nxehtit përfshiu Finlandën, Norvegjinë dhe Suedinë nën-Arktike, ku temperaturat arritën deri në 30°C brenda Rrethit Arktik për tre javë rresht. Ndërkohë, në Turqi u shënua një rekord historik prej 50°C në korrik.
Temperatura ekstreme goditën edhe Greqinë, ku rreth 85% e popullsisë përjetoi temperatura pranë ose mbi 40°C. Dy valë të mëdha të të nxehtit prekën gjithashtu Spanjën, Portugalinë, Francën dhe pjesë të Britaninë e Madhe gjatë muajve qershor dhe gusht.
Raporti paralajmëron se fenomeni klimatik El Niño mund të rikthehet, duke rritur gjasat për një tjetër verë rekord të nxehtë në nivel global.
Ndërkohë, akullnajat në të gjithë kontinentin pësuan humbje të konsiderueshme mase gjatë vitit 2025. Në Islandë u regjistrua shkrirja e dytë më e madhe ndonjëherë, ndërsa zona të tjera si Alpet, Skandinavia veriore dhe periferia e Groenlandës vijojnë të përballen me tkurrje të përshpejtuar të akullnajave./kb
