Punimet e Forumit të International Democrat Union (IDU) vijojnë sot në ditën e dytë në Zagreb, duke mbledhur liderë dhe figura të rëndësishme politike nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat globale dhe rolin e së djathtës në një rend ndërkombëtar në ndryshim.
Forumi u çel nga kryetari i IDU dhe ish-kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, së bashku me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i cili në fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar përballë krizave të sigurisë, zhvillimeve ekonomike dhe presioneve migratore.
Një nga sesionet kyçe të paradites, paneli “The Forgotten Frontier: The Western Balkans and Europe’s Unfinished Promise” (“Kufiri i Harruar: Ballkani Perëndimor dhe Premtimi i Papërfunduar i Europës”), do të sjellë në fokus sfidat dhe perspektivën europiane të rajonit, ku pritet të marrë fjalën edhe kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha.
Në diskutimet e ditës marrin pjesë gjithashtu liderë dhe ish-liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të lartë politikë nga Europa dhe më gjerë.
Agjenda e ditës së sotme përfshin tema kyçe si marrëdhëniet transatlantike në një realitet të ri gjeopolitik, siguria në Ballkan, si dhe roli i Europës përballë ndikimit rus. Në vijim të ditës do të zhvillohen panele mbi migracionin, demografinë dhe autonominë strategjike të Europës.
Forumi i IDU në Zagreb konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme politike për partitë e qendrës së djathtë, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme./kb
