Last Updated on 30/04/2026 by EL
Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Zegjine Çaushi, mori pjesë në punimet e Komisionit të përhershëm për Zhvillimin Social, Edukimin dhe Kërkimin Shkencor të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA), që u zhvillua më 27–28 prill në Ankara.
Mbledhja e këtij viti u fokusua në një nga temat më jetike për të ardhmen e rajonit: “Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në arsim”.
Gjatë fjalës së saj, Çaushi theksoi se Shqipëria është e vendosur për një transformim rrënjësor digjital, duke përgatitur brezat e rinj për tregun e punës së të ardhmes. Ajo nënvizoi se përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) në shkolla nuk është thjesht çështje teknologjie, por një mision për të garantuar qasje të barabartë për çdo nxënës.

“Shqipëria po punon për një qasje të balancuar ndaj Inteligjencës Artificiale, ku fokusi kryesor mbetet etika, trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar,” u shpreh deputetja Çaushi.
Ajo solli si shembull suksesi projektin SMARTlab, duke e cilësuar si një dëshmi konkrete të angazhimit të shtetit shqiptar në krijimin e laboratorëve inteligjentë që nxisin kreativitetin dhe inovacionin te të rinjtë.
Përveç punimeve zyrtare, deputetja Çaushi zhvilloi një takim dypalësh me Z. Refik Özen, Kryetar i Delegacionit të Turqisë në këtë asamble. Diskutimi mes dy zyrtarëve u fokusua në mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për brezat e rinj dhe nevojën për një kornizë të përbashkët rregullatore në nivel rajonal.

Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në këtë aktivitet konfirmon rolin aktiv të Kuvendit të Shqipërisë në nismat rajonale, duke e pozicionuar vendin tonë si një partner serioz në proceset e transformimit teknologjik dhe edukativ në Evropën Juglindore./ET


