Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar ndaj kandidatëve të vetëshpallur për drejtimin e PD-së, duke i konsideruar të pakuptimtë dhe pa strategji reale politike.
Në një deklaratë kritike, Spaho shprehet se nuk arrin të kuptojë logjikën e atyre që shpallin kandidaturën për kryetar partie, në një kohë kur, sipas tij, shumica e tyre janë përjashtuar nga gara dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të sfiduar këtë vendim.
“Nuk i kuptoj kandidatët e vetëshpallur për kryetar të PD. Të gjithë, përveç Meremes, janë përjashtuar nga gara. Përse nuk shkojnë në gjykatë dhe të ankohen për moszbatimin e nenit ‘Basha’ për dorëheqjen automatike të kryetarit kur humbet zgjedhjet?”, shprehet ai.
Sipas Spahos, ndjekja e rrugës ligjore do të ishte e vetmja mënyrë serioze për të vijuar betejën politike që këta kandidatë pretendojnë se po zhvillojnë. Në të kundërt, ai vë në dyshim seriozitetin e tyre.
Ai ironizon gjithashtu platformat politike që kandidatët publikojnë, duke thënë se ato nuk kanë asnjë vlerë në një proces që, sipas tij, është i kontrolluar nga drejtimi aktual i partisë.
“Çfarë kuptimi kanë platformat që publikojnë, kur ato Muli i ka hedhur në koshin e plehrave?”, thekson Spaho, duke shtuar se kjo situatë ngre pikëpyetje mbi seriozitetin e tyre politik.
Në fund, ai përdor një krahasim ironik për të përshkruar situatën, duke i krahasuar kandidatët me figura qesharake, duke përmendur “profesor Pilinxhin”, në analogji me kandidaten Mereme.
“E kanë seriozisht apo edhe ata janë Mereme? Nganjëherë më duken si profesor Pilinxhi, ngjashëm si kandidatja Mereme Pilinxhi që ka gjetur Muli”, ironizon Spaho mënyrën si po zhvillohet gara brenda Partisë Demokratike.
