Masat e sigurisë janë forcuar ndjeshëm në kryeqytetin armen, Jerevan, në prag të samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet këtë të hënë.
Rrugët e qytetit janë mbushur me forca policore, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë masa të rrepta për të garantuar mbarëvajtjen e takimit të nivelit të lartë, ku pritet të marrin pjesë rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Evropa dhe më gjerë.
Në samit do të jenë të pranishëm liderët e vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues nga Britania e Madhe, Norvegjia, Zvicra dhe Ukraina. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron do të zhvillojë edhe një vizitë zyrtare dyditore në Armeni.
Për herë të parë në këtë format, në takim është ftuar edhe një vend jo-evropian. Kryeministri kanadez, Mark Carney, pritet të marrë pjesë në samit, duke shënuar një zgjerim simbolik të këtij forumi politik.
Samiti i Komunitetit Politik Evropian synon forcimin e bashkëpunimit politik dhe të sigurisë mes vendeve pjesëmarrëse, në një kohë sfidash të shumta për kontinentin, përfshirë luftën në Ukrainë dhe tensionet gjeopolitike në rritje.
Takimi në Jerevan pritet të shërbejë si një platformë për koordinim më të ngushtë mes liderëve evropianë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
