Shkencëtarët kanë identifikuar një mekanizëm përmes të cilit përbërësit e kafesë mund të ndihmojnë trupin kundër plakjes dhe dëmtimeve të lidhura me moshën.
Sipas një studimi të ri, kafeja mund të mbrojë organizmin nga proceset e plakjes duke u lidhur me receptorin NR4A1, një proteinë që lidhet me rregullimin e stresit, inflamacionit dhe riparimit qelizor. Edhe pse më parë studimet kanë treguar se konsumimi i kafesë lidhet me jetëgjatësi më të madhe dhe rrezik më të ulët të sëmundjeve kronike, mekanizmi i saktë i këtyre efekteve nuk ishte kuptuar qartë deri tani.
Studiues nga Texas A&M College of Veterinary Medicine & Biomedical Sciences në SHBA zbuluan se disa përbërës të kafesë lidhen me receptorin NR4A1, një proteinë e lidhur me proceset e plakjes, reagimin ndaj stresit dhe sëmundjeve.
“Kafja ka veti të njohura për shëndetin,” tha Stephen Safe nga VMBS. “Ajo që kemi treguar është se disa nga këto efekte mund të lidhen me mënyrën se si përbërësit e kafesë ndërveprojnë me këtë receptor, i cili ndihmon në mbrojtjen e trupit nga dëmtimet e shkaktuara nga stresi.”
NR4A1 është një receptor që ndihmon në rregullimin e aktivitetit të gjeneve në përgjigje të stresit dhe dëmtimeve në trup. Studiuesit e përshkruajnë atë si një “sensor ushqyes”, që reagon ndaj përbërësve të dietës dhe luan rol në ruajtjen e shëndetit gjatë plakjes.
Proteina NR4A1 ndihmon në menaxhimin e inflamacionit, niveleve të energjisë dhe riparimit të indeve, të gjitha faktorë të rëndësishëm në parandalimin e gjendjeve si kanceri dhe rënia njohëse.
Në studim u zbulua se disa përbërës të kafesë, veçanërisht polifenolët dhe substancat e tjera të oksigjenuara (polyhydroxylated constituents), lidhen me këtë receptor dhe ndikojnë në aktivitetin e tij. Këto përbërës gjithashtu mund të ndikojnë në mbrojtjen kundër sëmundjeve, duke reduktuar dëmtimet qelizore dhe ngadalësuar rritjen e qelizave kancerogjene.
Kur NR4A1 u hoq nga qelizat, këto efekte mbrojtëse u zhdukën, duke mbështetur rolin e tij në ndërmjetësimin e efekteve të kafesë.
“Nëse dëmton pothuajse çdo ind, NR4A1 reagon për ta ulur atë dëmtim,” tha Safe. “Nëse e heqim këtë receptor, dëmtimi bëhet më i madh.”
Megjithatë, studiuesit theksojnë se përfitimet shëndetësore të kafesë nuk varen vetëm nga një mekanizëm i vetëm.
“Ka ende shumë punë për të bërë,” tha Safe. “Ne kemi gjetur lidhjen, por duhet të kuptojmë më mirë sa e rëndësishme është ajo.”
Mekanizmat pas efekteve të kafesë në shëndet po studiohen gjerësisht. Studime të fundit kanë treguar se konsumimi i moderuar i kafesë me kafeinë lidhet me ulje të ankthit, përmirësim të vëmendjes dhe vigjilencës, si dhe me ulje të rrezikut të inflamacionit.
Po ashtu, është gjetur se edhe kafeja pa kafeinë (decaf) mund të përmirësojë të mësuarit dhe kujtesën, gjë që sugjeron se përbërës të tjerë përveç kafeinës, si polifenolet janë përgjegjëse për këto efekte pozitive njohëse.
