Është mbyllur sezoni i Kategorisë së Parë me një finale dramatike në Korçë, ku Laçi triumfoi 0-1 ndaj Skënderbeut falë një goli në minutën 96 nga Arlind Kurti, duke siguruar titullin kampion në momentet e fundit.
Falë kësaj fitoreje, Laçi ngjitet në vendin e parë me 79 pikë dhe shpallet kampion i sezonit 2025-2026, ndërsa Skënderbeu e mbyll kampionatin në vendin e dytë me 77 pikë. Të dyja skuadrat kishin siguruar më herët ngjitjen dhe sezonin e ardhshëm do të garojnë në Superiore.
Në përfundim të ndeshjes, Federata e Futbollit organizoi ceremoninë zyrtare të shpalljes së kampionit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi medaljet dhe trofeun skuadrës së Laçit, në një atmosferë festive, duke përmbyllur një kampionat të luftuar deri në sekondat e fundit.
Sezoni i Kategorisë së Parë u karakterizua nga rivalitet i fortë dhe emocione të shumta, ndërsa verdikti për titullin u vendos vetëm në aktin e fundit, duke i dhënë edhe më shumë vlerë suksesit të Laçit./mxh
