Nëna e njërit prej të miturve që humbi jetën në aksidentin tragjik të 3 majit në Durrës ka folur mbrëmjen e sotme për herë të parë. Në një prononcim për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ajo tha se djali ishte përplasur nga automjeti sapo kishte dalë nga shtëpia e tij.
Në gjendje të rënduar emocionale, nëna bëri thirrje për dënim maksimal për autorin e aksidentit të rëndë. Ajo tha se ai duhet të dënohet më burgim të përjetshëm.
“Kur ndodhi ngjarja ne sapo kishim ardhur nga kisha. Sa hëngri buk më tha do dal të marr një akullore. Më tha nuk vonohem 5 minuta se do dal me shokët. Sa hyra brenda dëgjova ulërimat e fëmijëve. Dola me vrap se sikur e ndjeva, pashë djalin se ishte bërë copë. Nuk e njoha birin tim, që e kam rrit më shumë sakrifica. Ai ditëzi e bëri këtë gjë makabër. Ai njeri do dënohet, duhet të kalbet atje se i mori shpirtin djalit tim. Ai kriminel të kalbet në burg. Mos tu marrë jetë fëmijëve të tjerë. Ato dy fëmijë ishin të pafajshëm, nuk e kishin nisur ende shkollën. Ai njeri duhet të kalbet në burg. Ai lloj krimineli nuk meriton të rrijë i lirë, por duhet të rrijë në burg përjetë. Goca ime e kishte parë të gjithë ngjarjen, ishte tmerruar. Kemi 7 vjet që i bënim terapi djalit. Shkonim në kishë që ai të bëhej më mirë”, tha nëna e të miturit.
Halla e të miturit tha se familja po përjeton dhimbje të madhe. Lidhur me gjendjen shëndetësore të djalit që mbeti i plagosur, ajo tha se ai do t’i nënshtrohet sërish operacioneve pasi ka krisje të legenit dhe thyerje të kockave.
“Të rritesh një fëmijë e të të iki nga duart për dy sekonda nuk ka cfarë të them jam e pikëlluar për familjen time. Më ka lajmëruar vëllai. Dhimbjen që ka përjetuar vëllai dhe motra ime nuk mund ta shpjegoj. Djali tjetër do kryej sërish operacion ka krisje të legenit dhe thyerje të kocakave. Intitucionet të bëjnë drejtësinë e duhur jo t’i mbajnë dy vite e t’i lirojnë nëse janë prindër të na e kuptojnë dhimbjen, ata nuk janë zogj të zëvendësohen”, tha ajo./mxh
