Last Updated on 07/05/2026 by Leonard
Nga Marsela Kala
Të flasësh sot për Vath Koreshin nuk është vetëm të kujtosh një shkrimtar të rëndësishëm të letërsisë shqiptare. Është, mbi të gjitha, të reflektosh mbi një mënyrë të rrallë të të menduarit për gjuhën dhe për aktin e shkrimit.

Në psikologjinë bashkëkohore ekziston një koncept i njohur si metakognicion, të cilin psikologu John H. Flavell e përkufizon si “njohjen që individi ka mbi proceset dhe produktet e veta mendore”. Nëse e shohim nga kjo perspektivë, mënyra se si Vath Koreshi rikthehej vazhdimisht te tekstet e veta për t’i rishikuar dhe për t’i përsosur nuk ishte thjesht një praktikë editoriale por një formë e vetëdijes krijuese, një proces ku autori bëhet njëkohësisht edhe vëzhgues kritik i mendimit të vet gjuhësor.
Në historinë e letërsisë sonë ka shumë autorë që kanë krijuar vepra të mëdha por më pak janë ata që e kanë trajtuar tekstin e tyre si një organizëm të gjallë, që duhet rikthyer, rishikuar dhe ripunuar vazhdimisht.
Një nga tiparet më pak të përmendura, por më domethënëse të Koreshit ishte marrëdhënia e tij e pandërprerë me tekstin e vet. Ai nuk e konsideronte librin si një produkt të përfunduar në momentin e botimit.
Përkundrazi, shpesh kthehej te botimet e mëparshme, duke bërë korrigjime, duke rishikuar formulimet, duke përmirësuar ndërtimet sintaksore dhe duke kërkuar një ekuilibër më të saktë të fjalës shqipe.
Ky gjest krijues nuk ishte thjesht perfeksionizëm editorial. Ai përfaqësonte një formë të vetëdijes së thellë gjuhësore, një marrëdhënie kritike të autorit me gjuhën që përdorte. Në këtë kuptim, Koreshi ishte një shkrimtar që nuk shkruante vetëm histori apo personazhe por ai mendonte gjuhën ndërsa e përdorte atë.
Nëse e shohim këtë fenomen nga një këndvështrim më i gjerë kulturor, mund të themi se Vath Koreshi ishte një ndër ata autorë që e kuptonte se gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një hapësirë e ndërgjegjes kulturore. Çdo fjalë, çdo strukturë sintaksore dhe çdo ritëm i fjalisë përbënte për të një zgjedhje të menduar. Për këtë arsye ai kthehej vazhdimisht mbi tekstet e tij, jo për t’i ndryshuar ato rrënjësisht, por për t’i afruar më shumë me potencialin e plotë të gjuhës shqipe.
Për sa më lart, në këtë pikë qëndron një nga dimensionet më interesante të figurës së tij. Shkrimtari zakonisht shihet si krijues i parë i tekstit por tek Koreshi shfaqet edhe një rol tjetër, “ ai është lexuesi më kritik i vetvetes” . Ky dyzim midis autorit dhe kritikës së brendshme e bën shtjellë e tij krijues një proces të vazhdueshëm reflektimi.
Me bindje mund të thuhet se Vath Koreshi ishte një nga ata autorë që e përjetonte shkrimin si dialog të përhershëm me gjuhën. Ai nuk kërkonte vetëm të tregonte një histori por të gjente formën më të saktë që ajo histori mund të merrte në shqip. Dhe kjo është një ambicie që shkon përtej teknikës së shkrimit.
Kjo është një rreflektim i nje universi të thellë kulturore.
Vepra e Vath Koreshi dallohet nga përdorimi i elementeve arkaike te cilët nuk mbetet thjesht një zgjedhje stilistike, por shndërrohet në një mekanizëm artistik. Këto elemente i shërbejnë rindërtimit të atmosferës historike dhe shpirtërore të rrëfimit, duke i dhënë tekstit një thellësi të veçantë. Gjuha arkaike në tekstet e tij nuk shfaqet si një relike e së kaluarës, por si një materie e gjallë që bashkëjeton me narrativën.
Nga vëzhgimi i veprës së tij, bie në sy se shkrimtari Vath Koreshi arrin të ndërthurë në mënyrë organike kostumografinë, ambientin dhe gjuhën, jo vetëm në tekstet e shkruara, por edhe në realizimet e tij regjisoriale. Përmes një leksiku të zgjedhur me kujdes, ai ndërton një bote ku koha historike nuk perceptohet më si një vijë lineare, por si një përjetim estetik që kapërcen kufijtë kronologjikë.
Në këtë mënyrë, rrëfimi çlirohet nga kufizimet e kohës dhe fiton një dimension më të gjerë, ku e shkuara dhe e tashmja ndërthuren natyrshëm në një përvojë të vetme narrative. Pikërisht kjo aftësi për të relativizuar konceptin e kohës përmes gjuhës e bën stilin e shkrimtarit Vath Koreshit të veçantë në letërsinë shqipe, duke dëshmuar një mjeshtëri të rrallë në përdorimin e mjeteve gjuhësore për qëllime estetike dhe filozofike.
Në ditën e lindjes së tij, kur e kujtojmë sot, ndoshta mënyra më e drejtë për ta nderuar nuk është vetëm të përmendim veprat që ai la pas. Është të kuptojmë edhe etikën e tij ndaj gjuhës, bindjen se teksti mund dhe duhet të përmirësohet, se fjala shqipe meriton kërkim të vazhdueshëm dhe se shkrimtari nuk duhet të jetë kurrë plotësisht i kënaqur me formën e parë të asaj që shkruan.
Në diskursin bashkëkohor kritik mbi veprën e Vath Koreshit, vërehet një ndërthurje e qasjeve interpretative që synojnë rivlerësimin e figurës së tij në letërsinë shqipe.
Duke ju referiar disa mendimeve të kushtuar shkrimtarit Vath Koreshit, Kliton Nesturi shprehet se, proza e Vath Koreshit përfaqëson një arkiv të vazhdueshëm për formën estetike dhe një ndërgjegje të lartë gjuhësore, duke reflektuar tensionin mes individit dhe historisë.
Në të njëjtën linjë, Ermir Nika e sheh krijimtarinë e tij si një hapësirë ku ndërthuren tradita dhe moderniteti, përmes një gjuhe të ngarkuar me ndjeshmëri poetike dhe simbolikë të përmbajtur.
Ndërsa Leonard Veizi, në qasjen e tij publicistike, kontribuon në rikthimin e Koreshit në kujtesën kulturore, duke theksuar rëndësinë e figurës së tij jo vetëm si shkrimtar, por edhe si dëshmitar i kohës. Këto perspektiva dëshmojnë se Koreshi mbetet një autor i hapur ndaj rileximeve kritike dhe një pikë referimi në zhvillimin e prozës moderne shqipe.
Në një kohë kur shumë tekste lindin dhe harrohen shpejt, kjo mënyrë e të menduarit për shkrimin na kujton diçka thelbësore se letërsia e vërtetë nuk është vetëm krijim, por edhe rikrijim i vazhdueshëm i fjalës.
Dhe pikërisht për këtë arsye, Vath Koreshi mbetet jo vetëm një autor i rëndësishëm i letërsisë shqiptare, por edhe një shembull i rrallë i ndërgjegjes krijuese që nuk pushon së dialoguari me gjuhën.
Kjo qasje eshte veçanërisht domethënëse sepse figura e Vath Koreshi na rikthen te një e vërtetë që shpesh harrohet në kohën e shpejtësisë dhe të prodhimit të menjëhershëm të teksteve .Shkrimi nuk është një akt i vetëm, por një proces i vazhdueshëm ndërgjegjësimi dhe tek ai. Fjala për të nuk ishte kurrë përfundimtare, por gjithmonë në kërkim të formës më të saktë, më të ndershme dhe më të denjë për gjuhën shqipe. Pikërisht në këtë kërkim të pashtershëm qëndron madhështia e tij, jo vetëm si autor, por si një ndërgjegje krijuese që e trajtoi gjuhën si një hapësirë përgjegjësie dhe përkushtimi të përhershëm.
Dhe ndoshta ky është mesazhi më i vlefshëm që na lë se letërsia e vërtetë nuk përfundon kurrë, por jeton në përpjekjen e pandërprerë për ta thënë më mirë atë që ende nuk është thënë plotësisht.
