Organizatorët e Festivalit të 79-të të Filmit në Kanë kanë bërë publik përbërjen e jurisë që do të vendosë mbi fituesit e këtij viti, duke mbledhur disa nga emrat më të njohur të kinemasë ndërkombëtare. Në krye të saj do të jetë regjisori i njohur koreano-jugor Park Chan-wook.
Mes anëtarëve spikasin aktorja Demi Moore, regjisorja kineze fituese e çmimit Oscar Chloé Zhao dhe aktori suedez Stellan Skarsgård. Juria plotësohet nga skenaristi Paul Laverty, aktori Isaac de Bankolé, regjisorja dhe skenaristja belge Laura Wandel, regjisori kilian Diego Céspedes, si edhe producentja dhe aktorja Ruth Negga.
Ky grup prej nëntë profesionistësh do të ketë në dorë vlerësimin e 22 filmave që garojnë në konkurrimin zyrtar, duke përzgjedhur fituesit e çmimeve kryesore, mes tyre edhe Palmën e Artë.
Edicioni i sivjetshëm i festivalit do të zhvillohet nga data 12 deri më 23 maj 2026. Një vit më parë, çmimi më i rëndësishëm i festivalit iu dha filmit “A Simple Accident” të regjisorit iranian Jafar Panahi.
Rikthimi i Demi Moore në Kanë vjen pas paraqitjes së saj të suksesshme në vitin 2024 me filmin “The Substance”, një rol që riktheu vëmendjen ndaj karrierës së saj në arenën ndërkombëtare./mxh
