Këngëtarja e njohur Britney Spears ka pranuar fajësinë për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit dhe substancave narkotike, duke u përballur me një dënim prej 12 muajsh lirim me kusht. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Qarkut Ventura në Kaliforni.
Ngjarja daton në muajin mars, kur artistja u ndalua nga policia pranë banesës së saj, pas dyshimeve se po drejtonte në gjendje të dehur. Spears nuk ishte e pranishme në seancë, por e pranoi akuzën përmes avokatit të saj, Michael A. Goldstein, pasi për këtë lloj shkeljeje ligjore prezenca fizike nuk është e domosdoshme.
Në raste të tilla, akuza për drejtim të rrezikshëm nën ndikim zakonisht shoqërohet me periudhë prove njëvjeçare, gjatë së cilës kërkohet pagesa e gjobave përkatëse dhe ndjekja e programeve edukative mbi sigurinë rrugore.
Pak ditë përpara arrestimit, mediat raportuan se Spears ishte regjistruar me dëshirë në një qendër rehabilitimi, ku qëndroi për një kohë të shkurtër. Pas incidentit, përfaqësuesit e saj e cilësuan situatën si një gabim të rëndë, duke theksuar se ajo do të respektojë vendimin e drejtësisë dhe do të ndërmarrë hapa për të përmirësuar situatën personale.
Sipas tyre, kjo periudhë mbetet sfiduese për artisten, e cila ka nevojë për mbështetje, ndërsa shpresohet që zhvillimet e fundit të ndikojnë pozitivisht në stabilitetin e saj në të ardhmen./mxh
