Sali Berisha ka zhvilluar një aktivitet në Krujë së bashku me demokratët, në kuadër të përkujtimit të ditëlindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai u ngjit në malin e Krujës, ku mbajti një fjalim përpara mbështetësve të tij.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke e krahasuar atë me figura historike të tradhtisë. Berisha deklaroi se Rama i ka shkaktuar vendit dëme të mëdha ndër vite dhe bëri thirrje për vazhdimin e betejës politike për largimin e tij.
“A nuk është ky një Ballaban, një Hamza? Çfarë mund t’i thuhet këtij? Prandaj dhe nderimi i Skënderbeut për çdo shqiptar të vërtetë është detyrim. Ka edhe detyrime dhe përgjegjësi. Miq, po ta përmbledhim me dy fjalë amanetin e prijësit tonë të pavdekshëm, ai është ky për shqiptarin: kurrë mos u dorëzo!
Ky është frymëzimi i përjetshëm për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptar.
Ndaj dhe të vazhdojmë ne këtë betejë kundër këtij pushtuesi të egër që ka vendosur mbi shqiptarët një sistem shfrytëzimi kolonial duke vjedhur pasuritë e tyre, duke vjedhur fondet e tyre, duke poshtëruar gjysmën e kombit“, tha Berisha.
Në këtë aktivitet u vu re edhe pjesëmarrja e demokratëve të Krujës, pas ndryshimeve organizative në strukturat lokale të partisë. Dega e Krujës është bashkuar me atë të Fushë-Krujës, ndërsa drejtimin e saj e ka marrë Aulon Kalaja, i cili u prezantua zyrtarisht përkrah Sali Berishës gjatë kësaj daljeje publike.
