Politologu Roland Bejko, në një intervistë për “Ora e Fundit” shprehet se brenda PD-së mungon një garë e vërtetë e brendshme, pasi Berisha nuk lejon figura të tjera të konkurrojnë. Ai përmendi gjithashtu deputetin Ervin Salianji, duke theksuar se në disa zona ai gëzon më shumë mbështetje se vetë kryetari i partisë.
Bejko e konsideroi Berishën të pashpresë politikisht dhe argumentoi se largimi i tij do t’i jepte një frymëmarrje të re opozitës dhe politikës shqiptare. Ai shkoi më tej duke e cilësuar Berishën si të paligjshëm në krye të PD-së, duke iu referuar zhvillimeve të brendshme në parti.
Gjatë intervistës, Bejko u shpreh: “Nuk shohim askund kilometrin e fundit, ai ndërton një gënjeshtër të tij. Berisha sulmon këdo. Kishte për detyrë që Salianjin ta lejonte ta fuste në garë, por Berisha nuk duron dot që dikush tjetër të marrë vota. Salianji në një pjesë të mirë të territorit e mund Berishën. Ai thotë se Shqipëria nuk futet dot në Europë, del nëpër konferenca, flet keq për Shqipërinë.
BE i tregon opozitës që të futet në institucion dhe ta bëjë opozitën në institucione, por ai këto revolucione i bën për të mbyllur zërat e brendshëm dhe për të eliminuar të gjithë sfidantët siç bëri edhe me Salianjin”, tha Bejko.
“Berisha tashmë është në rënie. Ramën nuk e rrëzoi dot, humbi zgjedhjet, do humbasë edhe zgjedhje të tjera.
Ai kontigjent që mbështet Salianjin, mendoj që është shumë dhe po bëhet gjithmonë e më shumë shumicë. Berisha po kthehet në pakicë. Është një elektorat që e bojkoton strategjinë e Berishës, dhe është në pritje të gjetjes së një lideri që do e drejtojë. Berisha realisht është në kilometrin e fundit të jetës së vet.”
Bejko e mbylli analizën e tij duke theksuar se, sipas tij, një ndryshim lidershipi në PD do të ndikonte drejtpërdrejt në riorganizimin dhe forcimin e opozitës në vend.
