Last Updated on 06/05/2026 by Monika
Një shtetas shqiptar 45 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është vënë në pranga në Tiranë pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.
Burime bëjnë me dije se ai kishte katër vite në arrati dhe kërkohej nga Interpol, pas një urdhri arresti të lëshuar nga selia qendrore në Lyon, Francë.
Hetimet e zhvilluara nga pala italiane kishin nxjerrë në pah se 45-vjeçari qëndronte kryesisht në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa rikthimi i tij i fundit në Shqipëri është shfrytëzuar për ndërhyrjen dhe arrestimin.
Më herët, ai kishte jetuar në Mestre, pranë Venecia, ku edhe dyshohet se ka qenë pjesë aktive e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikun e kokainës. Sipas hetuesve, ai kishte rol organizues në sigurimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në tregun lokal.
Arrestimi është realizuar në kuadër të operacionit “Wanted”, një iniciativë për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë në kërkim ndërkombëtar, e drejtuar nga autoritetet italiane në bashkëpunim me partnerët e tyre./Mxh
