Last Updated on 08/05/2026 by Anisa
Nga Ag Apolloni
Umberto Eco, pak para se të vdiste, pati botuar disa ese ku trajtonte një tip njerëzish që janë në gjendje të shkojnë në çdo emision e format mediatik vetëm për të tërhequr vëmendje. S’ka rëndësi se çka thonë, s’ka rëndësi sa dinë, me rëndësi është që pastaj kur të dalin në rrugë, njerëzit të thonë: e njoh, e kam pa në televizor. Popullariteti i bën të lumtur.
Një person i tillë i lumtur është edhe Mimoza Ahmeti, një poete nga Shqipëria, që njihet si “më e mençura e Fermës”. Disa të mençur kanë thënë: nëse ndihesh më i mençuri në dhomë, ndërro dhomë! Po e ndërruam fjalën ‘dhomë’ me ‘fermë’, e kuptojmë se sa i mençur duhet të jetë dikush që ka hyrë aty dhe ndihet superior ndaj atyre që e rrethojnë. Mos ta tjerrim më tutje, se bëhet parodi.
Pikërisht, nga më e mençura e kësaj “dhome”, ku s’pritet të gjesh njerëz të dijes, vjen deklarata relativizuese: mendoj se Kadare nuk e meriton gjithë atë sukses që ka.
Ky është gjykim nga Ferma. Mund të pajtoheni me të, mund të mos pajtoheni. Ferma foli.
Tjetër gjykim ka Harvardi. Javën e kaluar, në Universitetin e Harvardit, u mbajt një diskutim me titullin “Arts & Humanities on the edge”, ku pata rastin ta takoj edhe kritikun e mirënjohur James Wood, i cili ka shkruar disa herë për veprat e Ismail Kadaresë. Pasi i tregova që ia kisha lexuar të gjitha shkrimet për Kadarenë, ai më tha: oh, ka qenë fantastik, gjithmonë kam besuar fuqishëm se ai njeri e meritonte çmimin Nobel.
Nejse! Kështu thonë këndej kah Harvardi. Ndryshe mendojnë andej kah Ferma.
