Tym është ngritur sërish në jug të Libanit të premten (8 maj), ndërsa përleshjet mes forcave izraelite dhe Hezbollahut kanë vijuar pavarësisht një armëpushimi të brishtë të arritur më 16 prill.
Sipas raportimeve, luftimet vazhdojnë në zonat jugore të vendit, ku trupat izraelite po mbajnë nën kontroll një brez territori brenda Libanit. Autoritetet izraelite thonë se prania e tyre synon të mbrojë veriun e Izraelit nga sulmet e Hezbollahut, të cilin e akuzojnë se vepron nga zona civile.
Zona e kontrollit izraelit shtrihet deri në rreth 10 kilometra brenda territorit libanez, duke thelluar më tej tensionet në kufi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, që nga fillimi i konfliktit në mars, mbi 2,700 persona kanë humbur jetën dhe rreth 1.2 milionë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Nga ana tjetër, Izraeli raporton se 17 ushtarë të tij janë vrarë në operacionet në jug të Libanit, si dhe dy civilë në veri të vendit.
Pavarësisht përpjekjeve për uljen e tensioneve, situata në kufirin libanezo-izraelit mbetet e paqëndrueshme dhe me shpërthime të herëpashershme të dhunës./mxh
