Last Updated on 08/05/2026 by Monika
Një epokë mbyllet, një tjetër duket se sapo ka nisur. Emri i Lionel Mesit vazhdon të mbetet sinonim i madhështisë në futbollin modern dhe në historinë e FC Barcelona. Për më shumë se pesëmbëdhjetë vite, argjentinasi dominoi botën e futbollit me një nivel të jashtëzakonshëm, duke fituar gjithçka dhe duke vendosur standarde që dukeshin të paarritshme.
Por ndërsa shumë mendonin se trashëgimia e tij do të mbetej e paprekshme për dekada, nga akademia legjendare “La Masia” ka dalë një tjetër talent që po habit botën me ritmin e tij të jashtëzakonshëm të zhvillimit. Bëhet fjalë për Lamine Yamal, yllin e ri të Barcelonës, i cili vetëm në moshën 18-vjeçare konsiderohet tashmë figura kryesore e skuadrës katalanase.
Lamine jo vetëm që po zhvillon sezonin e tretë me ekipin e parë, por ka arritur të fitojë trofe të rëndësishëm dhe të renditet ndër lojtarët më të mirë në botë. Shumë specialistë e shohin atë si futbollistin që mund të shënojë një epokë të re në futbollin europian.
Edhe vetë Lionel Messi ka folur me superlativa për talentin e ri spanjoll. Në një aktivitet të organizuar nga Adidas, argjentinasi u pyet se cili futbollist i kujtonte më shumë fillimet e tij. Përgjigjja ishte e menjëhershme: “Nëse duhet të zgjedh një, për moshën, atë që ka bërë deri tani dhe të ardhmen që e pret, ai është Lamine Yamal. Për mua, ai është më i miri.”
Edhe pse të dy nuk arritën kurrë të përballen në fushë, krahasimet mes tyre janë tashmë të pashmangshme. Nga njëra anë, Messi po shijon vitet e fundit të karrierës në Miami; nga ana tjetër, Lamine Yamal po ndërton kapitullin e tij si lider i një Barcelone plot ambicie dhe të ardhme.
A po lind pasardhësi i Lionel Mesit? Koha do ta tregojë. Por një gjë është e sigurt: bota e futbollit po ndjek me shumë vëmendje ngritjen e një tjetër fenomeni nga “La Masia”./mxh
