Disa situata nuk i planifikojmë, thjesht ndodhin. Dhe një prej tyre është kur papritur fillojmë të shohim ndryshe ish-partnerin e një shoqeje. Aty ku deri dje ishte thjesht “jashtë kufijve”, befas mund të lindë një interes tjetër. Dhe pikërisht atëherë nisin pyetjet e vështira.
Mendimi i parë, pothuajse instinktiv, është se diçka e tillë nuk duhet të ndodhë. Ekziston një rregull i pashkruar që ish-partnerët e miqve janë një “zonë e ndaluar”. Dhe jo pa arsye, miqësitë bazohen në besim, në ndjesinë se ekziston një kod i përbashkët që nuk shkelet lehtë.
Por në praktikë, gjërat nuk janë gjithmonë kaq të prerë. Jo të gjitha marrëdhëniet janë njësoj, dhe jo çdo miqësi ka të njëjtën dinamikë. Është ndryshe një lidhje e gjatë dhe e fortë që ka lënë gjurmë, dhe ndryshe një histori e shkurtër që ka përfunduar pa shumë peshë. Mënyra si është mbyllur ajo marrëdhënie ka rëndësi të madhe në mënyrën si do të perceptohet një hap i tillë.
Nëse gjendeni në këtë situatë, ia vlen të pyesni veten çfarë do të thotë kjo për ju. A është diçka me perspektivë apo një tërheqje e përkohshme? Dhe mbi të gjitha, çfarë rrezikoni? Sepse në shumicën e rasteve, është miqësia ajo që vihet e para në provë.
Nuk është vetëm një çështje mes jush. Ka edhe rrethin më të gjerë, shoqërinë e përbashkët, ekuilibrat dhe situatat që deri dje ishin normale dhe papritur mund të bëhen të sikletshme. Një zgjedhje që duket personale, shpesh ka ndikim më të madh sesa mendohet.
Nëse megjithatë ndjeni se doni të vazhdoni, mënyra si e trajtoni ka rëndësi. Sinqeriteti dhe biseda e hapur nuk garantojnë që gjithçka do të shkojë mirë, por tregojnë respekt dhe ulin ndjenjën e befasimit apo tradhtisë.
Në fund, nuk ka një përgjigje të vetme nëse “lejohet” apo jo. Ka vetëm ekuilibri që secili duhet të gjejë mes asaj që dëshiron dhe asaj që është i gatshëm të humbasë./mxh
