Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, së bashku me kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli, zhvilluan një takim me strukturat socialiste në Kamëz, në kuadër të procesit të riorganizimit dhe anëtarësimeve të reja në parti.
Në fjalën e tij, Balla theksoi rëndësinë e integrimit europian të Shqipërisë, duke nënvizuar se Partia Socialiste mbetet forca e vetme politike me vizion të qartë euroatlantik dhe me objektiv konkret anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Partia Socialiste është sot e vetmja forcë politike që ka vizionin dhe udhëheqjen e duhur për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ambicia jonë është të mbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027 dhe të ngremë flamurin shqiptar në Bruksel brenda vitit 2030”, tha Balla.
Gjatë takimit, Balla u ndal edhe tek rëndësia e përfshirjes së të rinjve në politikë, duke bërë të ditur se 652 anëtarë të rinj i janë bashkuar Partisë Socialiste në Kamëz, ku pjesa më e madhe janë të rinj dhe vajza.
Balla e cilësoi këtë si një sinjal pozitiv për forcimin e aleancës së socialistëve me brezin e ri dhe për të ardhmen politike e sociale të Kamzës.
“652 anëtarë të rinj i janë bashkuar Partisë Socialiste në Kamëz, ku pjesa më e madhe janë të rinj dhe vajza. Jo vetëm për të përmirësuar pjesën tonë gjinore, por me të rinjtë dhe të rejat që po afrohen sot, duam të forcojmë aleancën tonë me të rinjtë e Kamzës. Ajo që ka ndodhur në këto vite është e mrekullueshme, por ajo që vjen është edhe më e rëndësishme”, tha Balla./mxh
