Katër djem të mbështetur pas një muri të rrënuar, me xhinse të grisura, atlete, xhaketa të zeza lëkure dhe flokë të gjatë. Një fotografi e thjeshtë, brutale dhe e pavdekshme. Ishte kopertina e albumit të parë të Ramones, grupit që 50 vite më parë ndezi fitilin e punk rock-ut dhe ndryshoi përgjithmonë muzikën moderne.
Sot, nga formacioni origjinal i vitit 1974 – Joey Ramone, Johnny Ramone, Dee Dee Ramone dhe Tommy Ramone – askush nuk jeton më. Vetëm Marky Ramone, bateristi historik i grupit, vazhdon të mbajë gjallë frymën e Ramones. Dhe prej vitesh ai ka zgjedhur Italinë si shtëpinë e tij të dytë.
“Nju Jorku është një qytet i mrekullueshëm, por unë ndihem mirë këtu”, ka deklaruar Marky Ramone, emri i vërtetë i të cilit është Mark Steven Bell. Muzikanti është shpallur qytetar nderi i Castiglion Fiorentino, pranë Arezzo, një vend me të cilin ka krijuar një lidhje të fortë emocionale që prej vitit 2021.
“Sapo mbërrita këtu ndjeva menjëherë frymën e lirisë. U dashurova me gjërat e vjetra, ushqimin, stilin e jetesës dhe njerëzit”, rrëfen ai.
Në mesin e viteve ’70, nga lagjja Queens në New York City, Ramones krijuan një tingull të ri: të shpejtë, të ashpër, minimalist dhe rebel. Albumi i tyre debutues, Ramones, i publikuar më 23 prill 1976, konsiderohet sot një gur themeli i muzikës punk.
Katër muzikantët u fotografuan pranë murit të klubit legjendar CBGB, vendit ku lindi një pjesë e madhe e skenës alternative amerikane. Ata nuk sollën vetëm muzikë me ritëm të shpejtë, por edhe një estetikë dhe një qëndrim të ri ndaj botës: këngët flisnin për alienimin urban, dhunën, drogën dhe revoltën sociale.
Kënga hapëse Blitzkrieg Bop nisi me thirrjen ikonike të Joey Ramone: “Hey ho, let’s go!”, një slogan që shumë shpejt kaloi Atlantikun dhe pushtoi Britaninë.
Vetëm pak muaj më vonë, më 26 nëntor 1976, Sex Pistols publikuan Anarchy in the U.K., duke e kthyer punk-un në një lëvizje globale. Bashkë me grupe si The Stooges të Iggy Pop, New York Dolls, The Damned dhe The Clash, punk-u u shndërrua në një revolucion kulturor që ndikoi jo vetëm muzikën, por edhe modën, letërsinë dhe artet pamore.
Xhaketat e lëkurës, flokët mohawk, gjilpërat metalike dhe estetika anti-sistem u kthyen në simbol të një brezi që refuzonte rregullat e vjetra. Emra si Vivienne Westwood e çuan këtë frymë edhe në modë.
Pesëdhjetë vjet pas lindjes së punk-ut, bota po përgatit festime të mëdha për trashëgiminë e Ramones. Një ekspozitë zyrtare kushtuar grupit do të hapet më 4 korrik në Punk Rock Museum, në Las Vegas. Projekti organizohet nga Fondacioni Punk, në bashkëpunim me Linda Ramone dhe kompaninë Ramones Production Inc.
Edhe Italia do të bëhet pjesë e festimeve. Festivali Medimex, që zhvillohet në Taranto nga 17 deri më 21 qershor, do të organizojë ekspozita dhe projeksione speciale për 50-vjetorin e grupit dhe historinë e punk-ut.
Ndërkohë, Marky Ramone vazhdon jetën e tij italiane mes muzikës dhe kujtimeve. Ai është integruar në komunitetin e Castiglion Fiorentino-s, jep mësime në filarmoninë lokale dhe madje ka luajtur me bandën muzikore të qytetit.
“Jam shumë i lumtur. Kjo më bind se kam bërë zgjedhjen e duhur”, thotë ai.
Gati 74 vjeç, me flokët tashmë të shkurtër dhe xhaketën klasike të zezë prej lëkure, Marky Ramone mbetet dëshmitari i fundit i gjallë i një revolucioni muzikor që lindi në rrugët e Nju Jorkut dhe vazhdon ende të jehojë në kulturën moderne.
