Last Updated on 11/05/2026 by Anisa
Ish-kryetari i Kuvendit dhe politikani i njohur Namik Dokle ka organizuar një takim miqësor me disa prej figurave të njohura të së majtës shqiptare.
Në këtë tryezë u panë së bashku edhe ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryeministri Ylli Bufi, akademiku Sherif Bundo dhe ish-ministri Ethem Ruka, të cilët për vite me radhë kanë qenë pjesë e zhvillimeve politike në vend.
Ata janë takuar në një nga kafet e kryeqytetit, ku kujtimet e përbashkëta dhe bisedat, pa anashkaluar dhe ato mbi çfarë po ndodh gjatë ditëve të fundit në politikën shqiptare, kanë zënë vendin kryesor.
Siç ka treguar edhe vetë Dokle, gjithçka ka nisur me një kafe të zakonshme dhe një foto mes miqsh, për të vijuar më pas me një bisedë të lirshme për tema të ndryshme.
Në fund, nuk ka munguar as humori karakteristik i takimeve të tilla, “humor shqiptari”, ku mes buzëqeshjeve ka lindur edhe debati i zakonshëm miqësor se kush do të paguante kafen këtë herë.
“Duke pritur kafen e radhës e bëjmë edhe një foto me miqtë: Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Sherif Bundo, Ethem Ruka. Dhe pastaj fillon biseda miqësore, e sinqertë, e hapur për çdo temë. Në fund, si të gjithë, edhe ne nisim “zënkën” e zakonshme: do paguaj unë, m’i lini mua kësaj radhe, pse vetëm ti do paguash?!”, shkruan Dokle./A.D
