Last Updated on 11/05/2026 by Anisa
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj kritikave në rrjetet sociale, ndërsa ka vijuar të ngrejë shqetësimet që lidhen me problematikat në Bashkia e Tiranës. Përmes një postimi të gjatë, Braçe theksoi se është vazhdimisht pranë qytetarëve dhe se nuk dëshiron të “abuzojë” me njerëzit për propagandë politike.
Ai u shpreh se qytetarët janë ata që e kontaktojnë dhe e çojnë në lagje, rrugë e blloqe të ndryshme të kryeqytetit për t’i treguar shqetësimet e tyre të përditshme. Sipas deputetit socialist, problemet në Tiranë kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe jo justifikime apo vonesa.
Braçe tha se prej muajsh është ngritur një grup pune për çështjet e Tiranës, por sipas tij, problematikat vijojnë të mos marrin zgjidhje. Ai paralajmëroi se, nëse puna nuk bëhet nga drejtuesit aktualë, do të angazhohet vetë për t’i çuar përpara.
“Kur puna nuk bëhet, duhet ta bësh vetë”, shkruan Braçe, ndërsa shton se “koha për punët në Tiranë ka mbaruar” dhe qytetarët nuk mund të presin më.
Deklaratat e deputetit vijnë pak javë pasi ai shprehu publikisht dëshirën për të kandiduar në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm për drejtimin e Tiranës./A.D
