Last Updated on 11/05/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama dhe Negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta zhvilluan një konferencë për mediat, ku folën për ecurinë e Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike dhe reformat e ndërmarra në kuadër të luftës kundër korrupsionit.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te ish-drejtuesi i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, i cili u vu nën hetim nga SPAK, ndërsa së fundmi Prokuroria e Posaçme ka kërkuar mbylljen e hetimeve ndaj tij.
Pa e përmendur drejtpërdrejt me emër, kreu i qeverisë foli për sulmet dhe akuzat ndaj personit që, sipas tij, transformoi sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri.
“Për ata që nuk e kapën, apo që nuk duan ta konsiderojnë. Shqipëria është e para në rajon, në prokurimet publike. Shqipëria siç e parë edhe nga pasqyra e vendeve të BE, nuk është një vend ku prokurimet publike zhvillohen në përsosmëri. Kemi ende një sërë problemesh për të adresuar, por çfarë tregojnë këto rezultate dhe ajo pasqyrë që e vendos jo nga ne, është se lufta kundër korrupsionit nuk zhvillohet vetëm në frontin e ri të krijuar me vullnetin e kësaj shumice, që është fronti i drejtësisë, por është një luftë që zhvillohet me reforma modernizuese në bazë të asaj filozofie që e kam bërë të qartë, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, janë sistemet që korruptojnë njerëzit, sistemi i prokurimit publik që kemi ngrit pas viti, është gjithmonë e më pak i korruptueshëm.
Ankesat e operatorëve nuk i merr autoriteti që shpall tenderin, por nga agjencia e prokurimit publik. Janë dy autoritete dhe duke ardhur te komisioni, sjell në vëmendje faktin se njeriu që transformoi prokurimin publik u bë target i baltës, pasi për arsye siç ndodh me një shtet me drejtësi të pavarur, u mor nën hetim, si rezultat i hetimit rezultoi pa lidhje me asnjë lloj faji apo problemi.
Por balta që iu hodh për të shkatërruar personalisht dhe familjarisht, e bëri të vetën dhe nuk më ka rënë në sy asnjë lloj reflektimi apo kërkese ndjese nga askush lidhur me atë që i bënë atij njeriu. E solla këtu si shembull për faktin se në këtë proces ne kemi bërë transformim epokal”, tha Rama.
