Nga Sejdin Cekani
Një miku im sapo ka dalë në pension këto ditë. Ka punuar si mësues që nga viti 1979, sapo mbaroi Pedagogjiken e Elbasanit. Në shkollën e mesme ku ka dhënë mësim në dhjetë vitet e fundit ka gjetur në fillim rreth 140 nxënës. Bashkë me ata të 9-vjeçares, shkolla kishte më shumë se 370 fëmijë. “Tani që dola në pension, shkolla i ka ose jo 60 fëmijë. Prej tyre, shkollën e mesme e vazhdojnë vetëm 8 të rinj. Para tre vjetësh shkolla u rikonstruktua dhe u pajis me orendi e laboratorë, madje u ndërtua edhe një palestër moderne, bashkë me një kënd sportiv sipas kërkesave bashkëkohore. Po kush do t’i gëzojë të gjitha këto? Kam frikë se, pas disa vitesh, do të kthehen në rrënoja, sepse edhe ata pak banorë që kanë mbetur në fshat, e kanë mendjen për të ikur, ashtu siç kanë bërë të tjerët”, thotë ai me trishtim.
“Kush do të jetojë në këtë vend pas 20 apo 30 vjetësh?” Kjo është një pyetje që, jo pa shqetësim, po ia bëjmë shpesh njëri-tjetrit, ndërsa të rinjtë ikin e ikin ku të munden – nëpër Europë e përtej saj.
Ndërkaq, politika shqiptare sillet sikur problemi më i madh, i vetëm dhe i pazgjidhshëm i këtij vendi, të jetë konflikti i pafund dhe i përditshëm mes palëve. Debatet, akuzat, mëritë, kërcënimet dhe deri përplasjet mes tyre kanë zënë vendin e vizionit për të ardhmen. Për rrjedhojë, ashtu në heshtje, vendi po përjeton një nga dramat më të mëdha në historinë e tij: zbrazjen nga të rinjtë. Emigrimi thuajse masiv është kthyer tashmë në epideminë më të madhe kombëtare. Shqiptarët nxitojnë të kërkojnë nëpër botë atë që nuk e gjejnë dot në vendin e tyre: punën, sigurinë dhe perspektivën për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Ajo çka shihet qartë është se, nga një vend me popullsinë më të re në Europë, tani Shqipëria po plaket me shpejtësi dhe rrezikon të kthehet gradualisht në një “republikë pensionistësh”, ku numri i të moshuarve vetëm rritet vit pas viti, ndërsa numri i të rinjve dhe fuqia punëtore zvogëlohen. Në të njëjtën kohë, ekonomia dita-ditës vetëm deformohet. Ne vetëm konsumojmë dhe prodhojmë fare pak. Tregjet mbushen çdo ditë me mallra importi. Një ekonomi që mbështetet kryesisht tek tregtia dhe te paratë e emigrantëve, kurrsesi nuk mund të ndërtojë zhvillim të qëndrueshëm. Edhe fshati shqiptar po shuhet. Shumë zona rurale janë boshatisur, tokat kanë mbetur djerrë dhe blegtoria thuajse është shuar fare. Jemi një vend me toka pjellore dhe traditë bujqësore, por tanimë po bëhemi gjithnjë e më të varur nga importet. Ky është një paradoks i hidhur. Kemi potencial të madh njerëzor dhe natyror, por ama kemi një politikë dhe politikanë që përditë merren me luftën për pushtet dhe jo me ndërtimin e së ardhmes. Nëse kjo prirje vazhdon, rreziku është i qartë. Shqipëria mund të humbasë kapitalin e saj më të çmuar, që janë njerëzit e këtij vendi.
