Last Updated on 12/05/2026 by Leonard
Ka vendosur të hyjë në garën për drejtimin e Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë. Emri i saj është Sonila Velo, një figurë e njohur në praktikën juridike, e cila ndryshe nga profilizimet klasike të garave profesionale, nuk ndërtohet mbi retorikë publike apo ekspozim politik, por mbi një aktivitet të konsoliduar në fushën e së drejtës dhe përfaqësimeve ligjore konkrete.
E licencuar si avokate me mbi 10 vite eksperiencë, Velo ka ushtruar profesionin në disa nga fushat kryesore të së drejtës, përfshirë të drejtën civile, penale, tregtare dhe administrative. Praktika e saj profesionale përfshin hartimin dhe negocimin e kontratave, përfaqësimin ligjor në gjykatat e të gjitha niveleve, si dhe ofrimin e këshillimit juridik për individë dhe kompani.
Në CV-në e saj profesionale përfshihen gjithashtu bashkëpunime me institucione shtetërore dhe organizata ndërkombëtare, mes të cilave NATO, ICMPD dhe struktura të tjera të lidhura me sigurinë dhe administratën publike. Po ashtu, ajo njihet për njohuri të specializuara në fushën e import-eksportit dhe procedurave doganore, një segment gjithnjë e më teknik i së drejtës ekonomike.
Në një reagim publik që shoqëron shpalljen e kandidaturës, Velo e vendos fokusin te nevoja për transformim të profesionit të avokatit dhe rolit të tij institucional.
“Profesioni ynë po kalon një periudhë transformimi të thellë, paralelisht me ndryshimet që po përjeton vetë sistemi i drejtësisë. Natyrisht, në këtë rrugëtim ka vështirësi, mangësi dhe shumë sfida që ndikojnë drejtpërdrejt në ushtrimin e profesionit tonë dhe në figurën e avokatit në shoqëri.
Por besoj se nuk na takon të jemi thjesht kritikë së jashtmi apo spektatorë mediatikë të këtij realiteti. Na takon të jemi pjesë aktive, me dinjitet dhe përgjegjësi, në përmirësimin e tij. Vetëm kështu zëri i avokatit bëhet realisht i dëgjuar dhe vetëm kështu mund të ndërtojmë kushte më të forta pune, më shumë respekt institucional dhe një përfaqësim më dinjitoz për profesionin tonë.
Koha kërkon një qasje të re, një përfaqësim më aktiv dhe figura që jo vetëm flasin për ndryshimin, por marrin përgjegjësinë për ta përfaqësuar atë.
Pas një reflektimi të gjatë profesional dhe personal, kam vendosur të kandidoj për Kryetare të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, duke kërkuar mbështetjen dhe besimin tuaj për të ndërtuar së bashku një përfaqësim më aktiv, më dinjitoz dhe më afër problematikave reale të avokatëve.”
Në këtë mënyrë, gara për drejtimin e Dhomës së Avokatisë në Tiranë pritet të marrë një dimension të ri debati mbi rolin e përfaqësimit profesional, funksionimin e institucioneve të brendshme të avokatisë dhe nevojën për një zë më të organizuar të komunitetit juridik në vend.
