Carlo Ancelotti ka hedhur hapin e parë në ndërtimin e Brazilit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, duke përcaktuar grupin fillestar të lojtarëve që do të ketë në konsideratë.
Sipas UOL, trajneri italian tashmë ka hartuar një listë paraprake me 55 futbollistë, ndërsa ka nisur procesin për të formësuar përzgjedhjen përfundimtare për turneun.
Zhvillimi më i spikatur në këtë listë është përfshirja e dy veteranëve, Neymar dhe Thiago Silva, të cilët kanë qenë jashtë rrethit të kombëtares për një periudhë të gjatë.
Përfshirja e tyre tregon se Ancelotti po e lë të hapur mundësinë për rikthimin e përvojës dhe udhëheqjes në ekip, teksa synon të gjejë ekuilibrin mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë përpara Kampionatit Botëror.
Për Kupën e Botës 2026, secila kombëtare do të mund të ketë deri në 26 lojtarë në listën finale, njëjtë si në Katar 2022. Minimumi duhet të jenë 23 lojtarë, ndërsa të paktën 3 prej tyre duhet të jenë portierë. /ET


