Një pikturë e vjedhur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore është zbuluar në shtëpinë e pasardhësve të një bashkëpunëtori të njohur holandez të regjimit nazist, duke rikthyer në vëmendje plagët e grabitjes së veprave të artit gjatë luftës.
Bëhet fjalë për veprën “Portreti i një Vajze të Re”, realizuar nga artisti holandez Toon Kelder, e cila sipas hetuesit të artit Arthur Brand, ka qëndruar për dekada në familjen e Hendrik Seyffardt-it, një gjeneral holandez që drejtoi një njësi të Waffen-SS në frontin lindor.
Piktura i përkiste tregtarit hebre të artit Jacques Goudstikker, i cili u nda nga jeta ndërsa po arratisej nga pushtimi nazist i Holandës në vitin 1940, duke lënë pas një koleksion me më shumë se 1 mijë piktura.
Rasti iu soll në vëmendje Brand-it nga një burrë që i tha se ishte pasardhës i Seyffardt-it dhe se kishte ndjerë “neveri” kur mësoi se familja e tij e kishte mbajtur veprën artistike për vite me radhë.
Seyffardt ishte një gjeneral holandez që komandoi një njësi vullnetarësh të Waffen-SS në frontin lindor, përpara se të vritej nga luftëtarë të rezistencës në vitin 1943.
Menjëherë pasi mësoi se kishte lidhje familjare me bashkëpunëtorin nazist, burri iu afrua gjyshes së tij për ta pyetur mbi historinë e pikturës.
Sipas mediave holandeze, gjyshja e tij kishte pranuar se piktura ishte blerë gjatë luftës dhe se konsiderohej “art i grabitur nga hebrenjtë”, ndaj nuk mund të shitej.
“Është e pashitshme. Mos i trego askujt.”, i ishte drejtuar ajo, citon BBC.
Familja, e cila ndryshoi mbiemrin në fund të luftës, ka pranuar se e kishte në zotërim pikturën, por mohoi se e dinte origjinën e saj të vërtetë.
Pasi mësoi historinë e pikturës, anëtari i familjes kontaktoi Brand-in përmes një ndërmjetësi, duke besuar se mënyra e vetme që ajo të kthehej ishte që historia të bëhej publike.
Anëtari i familjes i tha gazetës holandeze De Telegraaf: “Ndjej turp. Piktura duhet t’u kthehet trashëgimtarëve të Goudstikker.”
Në një deklaratë për të njëjtën gazetë, gjyshja e tij tha: “E mora nga nëna ime. Tani që po më përballni kështu, e kuptoj që trashëgimtarët e Goudstikker e duan pikturën mbrapsht. Nuk e dija këtë.”
Pasi u informua për ekzistencën e pikturës, Brand nisi hetimin e tij.
Ai zbuloi se piktura kishte një etiketë në pjesën e pasme dhe numrin 92 të gdhendur në kornizë.
Më pas, Brand kërkoi në arkivat e një ankandi të vitit 1940, ku ishte shitur një pjesë e madhe e koleksionit të grabitur të Goudstikker, dhe zbuloi një objekt me numrin 92 me titull “Portreti i një Vajze të Re” nga Toon Kelder.
Brand beson se piktura ishte plaçkitur nga Hermann Goering, një nga figurat më të fuqishme të Partisë Naziste, në kohën kur Goudstikker iku drejt Britanisë në vitin 1940.
Më pas ajo iu shit Seyffardt në ankand dhe më vonë iu trashëgua pasardhësit të tij, thotë Brand.
Arthur Brand e cilësoi zbulimin si “rastin më të çuditshëm” të karrierës së tij, duke theksuar se më parë kishte rikuperuar vepra arti të grabitura edhe nga muze të njohur dhe koleksione mbretërore.
Ndërkohë, familja që kishte në zotërim pikturën ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të origjinës së saj të vërtetë dhe është dakord që ajo t’u rikthehet trashëgimtarëve të Jacques Goudstikker./mxh
