Last Updated on 12/05/2026 by Anisa
Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin europian, Majlinda Dhuka, paraqiti në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme bilancin e procesit të integrimit gjatë vitit 2025 dhe katërmujorit të parë të vitit 2026, duke e cilësuar vitin e kaluar si një periudhë me progres të lartë për negociatat me Bashkimin Europian.
Dhuka theksoi se Shqipëria ka marrë deri më tani 101 kushte për mbylljen e negociatave që lidhen me 31 kapitujt e anëtarësimit, ndërsa janë hartuar 31 draft-plane pune për përmbushjen e tyre.
“Gjatë vitit 2025 kemi punuar për bazën organizative të punës për mbylljen e negociatave, krahas çeljes së negociatave për 6 grup-kapitujt. Janë zbërthyer 101 linja veprimi në rreth 600 nisma europiane, ku një pjesë e madhe janë të natyrës ligjore”, deklaroi ajo.
Sipas kryenegociatores, procesi po hyn në një fazë intensive përgatitjesh teknike, me fokus të veçantë te mbyllja e negociatave për 10 fushat e para, ndërsa puna vijon paralelisht në të 31 kapitujt.
Dhuka bëri të ditur se në këtë proces janë të përfshira rreth 157 institucione shqiptare, duke vlerësuar koordinimin mes pushtetit qendror dhe strukturave të tjera shtetërore, si edhe konsultimin me grupet e interesit.
Ajo nënvizoi gjithashtu mbështetjen e Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Sa i përket kapitujve të negociatave, Dhuka tha se grupi për tregun e brendshëm u çel në prill 2025, ndërsa grupi për konkurrueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen në maj të po atij viti. Prioritetet kryesore mbeten transformimi digjital, mbështetja për sipërmarrjen, punësimi dhe politikat sociale.
Në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, Shqipëria ka punuar për plotësimin e 24 kushteve të ndërmjetme dhe, sipas Dhukës, ka marrë vlerësime pozitive nga institucionet europiane.
“Shqipëria pret me interes diskutimet dhe vendimmarrjen e vendeve anëtare për ecurinë e mëtejshme të negociatave”, u shpreh ajo./A.D
