Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka deklaruar se Tajvani do të vazhdojë të mbetet i palëkundur përballë presioneve të jashtme dhe se demokracia mbetet vlera më e çmuar e vendit.
Në një fjalim me video gjatë Samitit të Demokracisë në Kopenhagë të martën (12 maj), Lai shprehu mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara për ndihmën në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Tajvanit dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve demokratikë në Evropë dhe Indo-Paqësor.
Ai falënderoi gjithashtu vende si Japonia, Filipinet dhe Australia për mbështetjen e tyre ndaj stabilitetit rajonal dhe për qëndrimet e tyre në favor të paqes në Ngushticën e Tajvanit.
Lai theksoi se demokracia është “një pasuri e fituar, jo e dhuruar”, duke nënvizuar rëndësinë e saj për identitetin dhe zhvillimin e Tajvanit.
Presidenti tajvanez deklaroi se populli i Tajvanit nuk është tërhequr kurrë përballë sfidave të jashtme dhe “nuk do të përkulet kurrë para presionit”, duke shtuar se Tajvani është një shtet sovran dhe i pavarur.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të shtuara ndërkombëtare, përpara takimit të pritshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, ku pritet të diskutohet edhe çështja e Tajvanit.
Tajvani mbetet një nga pikat më të ndjeshme të marrëdhënieve SHBA–Kinë, ndërsa Pekini e konsideron ishullin pjesë të territorit të tij dhe kundërshton çdo formë njohjeje ndërkombëtare të pavarësisë së tij./mxh