Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari në një dalje televizive ka folur për situatën në parti. Muçollari tha se prej kohësh ka një ridimensionim të marrëdhënieve mes PD dhe faktorit ndërkombëtar.
Referuar këtyre marrëdhënieve, Muçollari u shpreh se nuk do të ishte çudi dhe heqja e “non gratës” për Berishën, masë të cilën e cilësoi si një padrejtësi ndaj kryedemokratit dhe vetë opozitës.
Sa i përket situatës në parti, Muçollari u shpreh se gjithë kalvari i problematikave ka kalaur dhe tani është një moment rigjenerimi.
“Prej kohësh ka një ridimensionim të marrëdhënieve të Partisë Demokratike me të gjithë faktorin ndërkombëtar. Deri para dy vitesh nuk vinte asnjë përfaqësues i lartë në seli, ndërsa para disa muajsh erdhën anëtarë të Parlamentit Europian. Në këtë aspekt, nuk do të shikoja aspak të çuditshme edhe finalizimin e heqjes së “non gratës”, si një padrejtësi të kryer ndaj liderit të opozitës dhe opozitës në tërësi. Nuk kam dëgjuar zëra të tillë, por është mëse e pritshme dhe besoj që do t’i shërbejë jo vetëm opozitës, por edhe vendit. Unë patjetër që jam optimist, pasi kam përshtypjen që të gjithë kalvarin e vuajtjes dhe problematikave opozita e kaloi tashmë. Mbase tani është një moment i ri, rigjenerimi, ripërtëritjeje, pse jo edhe një moment i ri në raport me SHBA dhe Bashkimin Europian”, tha Muçollari./mxh
