Last Updated on 14/05/2026 by EL
Kupa e Botës 2026 pritet të rezultojë një minierë ari edhe për klubet. FIFA ka zbuluar planin e kompensimit për turneun që do të zhvillohet në SHBA, Kanada e Meksikë, i cili pritet t’u sjellë klubeve të futbollit në mbarë botën përfitime të mëdha financiare për grumbullimin e lojtarëve në ekipet kombëtare.
Turneu i vitit 2026 do të jetë më i madhi në histori, me më shumë skuadra dhe më shumë ndeshje, çka do të thotë se edhe më shumë lojtarë do të largohen për periudha të gjata nga klubet e tyre.
FIFA do t’u paguajë klubeve rreth 11 mijë dollarë në ditë për çdo lojtar të thirrur në Kupën e Botës. Pagesat do të llogariten gjatë gjithë periudhës që lojtari qëndron me ekipin kombëtar, duke përfshirë fazën përgatitore dhe deri në eliminimin ose përfundimin e turneut për kombëtaren e tij.
Fondi total i kompensimit për ciklin e Kupës së Botës 2026 ka kapur vlerën e 355 milionë dollarëve, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 209 milionë dollarët që FIFA ndau gjatë Botërorit të kaluar mbajtur në Katar.
Modeli i pagesës funksionon sipas formulës “për lojtar, për çdo 24 orë”, që do të thotë se klubet do të përfitojnë më shumë nëse kombëtaret e lojtarëve të tyre avancojnë më gjatë në turne.
FIFA ka bërë të ditur se kompensimi nuk do të shkojë vetëm për klubet që zotërojnë kontratat e futbollistëve, por edhe për ekipet ku lojtarët aktivizohen në formë huazimi.
Për shumë klube, veçanërisht ato më të vogla, këto pagesa mund të përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe një motiv shtesë për të zhvilluar lojtarë me potencial ndërkombëtar.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, për 38 ditë, nga 11 qershori deri më 19 korrik/et
