Takimi mes presidentit kinez Xi Jinping dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump në Pekin nuk u fokusua vetëm te konfliktet aktuale globale, por edhe te një paralajmërim historik që ka rikthyer në vëmendje debatet mbi rivalitetin mes superfuqive.
Gjatë fjalës së tij hapëse, Xi iu referua të ashtuquajturit “Kurthi i Tukididit”, një teori politike dhe historike që lidhet me Luftën e Peloponezit në Greqinë e lashtë, konflikt i zhvilluar mes Athinës dhe Spartës në vitin 431 para Krishtit.
“A mund ta kapërcejnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ashtuquajturin ‘Kurth i Tukididit’ dhe të krijojnë një paradigmë të re për marrëdhëniet midis fuqive të mëdha?”, deklaroi lideri kinez.
Koncepti buron nga historiani grek Tukididi, i cili në veprën e tij “Historia e Luftës së Peloponezit” argumentonte se ngritja e Athinës dhe frika që kjo krijoi te Sparta e bënë luftën të pashmangshme.
Në politikën moderne, teoria përdoret për të përshkruar rrezikun e konfliktit kur një fuqi në ngritje sfidon një superfuqi ekzistuese. Në këtë rast, analogjia lidhet me rritjen ekonomike, ushtarake dhe politike të Kinës përballë dominimit global të SHBA-së.
Referenca e Xi Jinping u interpretua nga analistët si një sinjal i drejtpërdrejtë për tensionet rreth Tajvanit, çështje që Kina e konsideron thelbësore për sovranitetin e saj.
Më vonë gjatë takimit, lideri kinez paralajmëroi se çdo gabim në menaxhimin e çështjes së Tajvanit mund të çojë dy vendet drejt përplasjes.
“Çështja e Tajvanit është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, tha Xi, duke shtuar se një keqmenaxhim i situatës mund të shtyjë të dy vendet drejt konfliktit dhe ta vendosë marrëdhënien mes tyre në një situatë shumë të rrezikshme.
Koncepti i “Kurthit të Tukididit” është përdorur shpesh vitet e fundit në debatet mbi rivalitetin strategjik mes Kinës dhe SHBA-së, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se tensionet mbi Tajvanin, teknologjinë dhe ndikimin global mund të bëhen burim përplasjeje mes dy fuqive më të mëdha të botës./A.D
