Qytetarë të shumtë në Kyiv vendosën lule dhe lodra pranë një memoriali të improvizuar afër një pallati të shkatërruar, ku një sulm rus me raketa shkaktoi vdekjen e 24 personave, mes tyre edhe tre fëmijë.
Ekipet e shpëtimit përfunduan operacionet e kërkim-shpëtimit në ndërtesën e goditur, e cila u shkatërrua gjatë sulmit më të rëndë ajror rus ndaj kryeqytetit ukrainas këtë vit. Sipas autoriteteve ukrainase, operacioni zgjati mbi 28 orë, ndërsa qindra efektivë kërkuan mes rreth 3 mijë metrave kub rrënojash.
Ministria e Brendshme e Ukrainës bëri të ditur se rreth 30 persona u nxorën të gjallë nga rrënojat, ndërsa afro 50 të tjerë mbetën të plagosur. Përveç dëmeve fizike, rreth 400 qytetarë kanë kërkuar mbështetje psikologjike pas sulmit.
Autoritetet në Kiev shpallën të premten ditë zie në nder të viktimave. Flamujt kombëtarë u ulën në gjysmë shtize në të gjithë qytetin me rreth tre milionë banorë, ndërsa aktivitetet argëtuese u anuluan ose u shtynë.
Sipas zyrtarëve ukrainas, Rusia ka lëshuar këtë javë mbi 1,500 dronë dhe dhjetëra raketa në sulme të koordinuara në të gjithë territorin ukrainas, gjatë dy ditëve radhazi.
Nga ana tjetër, Moska nuk komentoi menjëherë mbi sulmin ndaj pallatit në Kiev, por ka mohuar vazhdimisht se synon objektiva civile gjatë luftës që nisi me pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ndërkohë, edhe Ukraina ka vijuar sulmet me dronë në territorin rus. Një sulm në qytetin Ryazan goditi një ndërtesë banimi dhe sipas autoriteteve ruse shkaktoi katër viktima./mxh
