Reperi i njohur kanadez Drake ka njoftuar një nga lëvizjet më të pazakonta të karrierës së tij: publikimin e tre albumeve njëkohësisht ditën e sotme. Projektet e reja titullohen Iceman, Habibti dhe Maid of Honour, duke shënuar rikthimin e tij solo pas publikimit të fundit në vitin 2023.
“Iceman” – projekti kryesor
Albumi Iceman ishte paralajmëruar më herët dhe u bë viral pas një instalacioni gjigant akulli në Toronto. Lista e këngëve përfshin bashkëpunime me emra të njohur si Future dhe 21 Savage, duke ngritur pritshmëri të larta për projektin.
“Habibti” – një album me ndikime kulturore dhe bashkëpunime të reja
Albumi Habibti, ku titulli vjen nga një term arab që do të thotë “dashuria ime”, përmban një sërë bashkëpunimesh të reja dhe tinguj më eksperimentalë.
Një nga emrat që bie në sy është artistja shqiptarja Qendresa, e cila shfaqet në këngën “Slap the City”.
Qendresa është një këngëtare shqiptare, e lindur dhe rritur në Londër nga prindër kosovarë, duke përfaqësuar një identitet të përzier kulturor që shpesh reflektohet në muzikën e saj.
Ajo është këngëtare, kompozitore, producente dhe DJ nga veriperëndimi i Londrës, një zonë e lidhur historikisht me lindjen e kulturës së sistemit të zërit (sound system culture). Muzika e saj kombinon elektronikë të butë dhe shpirtërore, e prodhuar shpesh prej vetë saj, duke reflektuar ndikime nga R&B, pop dhe skena underground e Londrës.
Qendresa ka tërhequr vëmendje edhe më parë me projektin e saj “Midnight Request Line” (nëntor 2020), ku ajo eksploron më thellë këtë përzierje identitetesh dhe tingujsh. Në formimin e saj muzikor përmenden ndikime nga artiste si Mariah Carey dhe Aaliyah, të cilat kanë ndikuar në stilin e saj melodik dhe emocional.
“Maid of Honour”
Albumi i tretë, Maid of Honour, i referohet figurës tradicionale të shoqes së nuses në një dasmë, duke sugjeruar një tematikë më narrative dhe konceptuale./mxh
