Në një kohë kur po zhvillohen bisedime direkt në Uashington DC mes delegacioneve të Izraelit dhe Libanit për një raund të ri negociatash, situata në terren në shtetin libanez është përshkallëzuar sërish, pasi sulmet ajrore izraelite në jug të vendit kanë lënë të paktën shtatë të vrarë.
Bisedimet, që po mbahen në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe që përfshijnë ambasadorët dhe zyrtarë të lartë të të dy vendeve, janë pjesë e një përpjekjeje diplomatike të mbështetur nga SHBA-të për të ulur tensionet mes Izraelit dhe Libanit, megjithëse palët kanë qëndrime krejt të ndryshme.
Sipas autoriteteve libaneze dhe agjencisë shtetërore NNA, sulmet e fundit përfshijnë goditje me dronë në zona të ndryshme të jugut të Libanit, përfshirë qytetin Nabatieh dhe fshatra të tjera, ku disa civilë dhe punonjës humanitarë kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur. Ministria e Shëndetësisë në Liban raporton mijëra viktima që nga rifillimi i përshkallëzimit të konfliktit në mars, duke e bërë situatën humanitare gjithnjë e më të rëndë.
Nga ana tjetër, Izraeli thotë se operacionet e tij synojnë objektiva të lidhur me grupin Hezbollah, duke argumentuar se veprimet janë përgjigje ndaj sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga territori libanez. Pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar më herët nga SHBA-të, të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje, ndërsa incidentet ushtarake nuk janë ndalur plotësisht.
Bisedimet në Uashington janë cilësuar si “produktive dhe pozitive” nga një zyrtar amerikan, por pa dhënë detaje konkrete mbi përmbajtjen e tyre. Libani kërkon ndalimin e plotë të sulmeve dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territori i tij, ndërsa Izraeli fokusohet në çarmatimin e Hezbollahut dhe ndryshime më të thella të sigurisë rajonale, përfshirë mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve./mxh
