Të zgjedhësh çfarë do të veshësh në mëngjes ndonjëherë mund të duket lodhëse, edhe kur i ke përgatitur rrobat që një natë më parë. Shumica prej nesh zgjedhin veshjen bazuar tek ajo që na pëlqen, na rri mirë apo na bën të ndihemi rehat. Por sa shpesh mendoni për mesazhin që përcjellin ngjyrat që vishni?
Sipas ekspertes së psikologjisë së ngjyrave, Michelle Lewis, shumica e njerëzve nuk e marrin parasysh ndikimin që ka ngjyra në mënyrën si perceptohen nga të tjerët.
Por edhe nëse ju nuk i kushtoni rëndësi, njerëzit përreth jush e bëjnë, shpesh pa e kuptuar.
Truri e percepton ngjyrën para fjalëve

Sipas Lewis, ngjyra është një nga sinjalet e para që truri përpunon kur takon dikë. Madje, ajo krijon përshtypjen fillestare përpara se personi të flasë.
“Ngjyra përpunohet nga truri para fjalëve. Është një nga sinjalet e para që njerëzit marrin nga ju dhe ndikon menjëherë në mënyrën si ju perceptojnë,” thotë ekspertja.
Kjo do të thotë se zgjedhja e ngjyrave mund të ndikojë në intervistat e punës, takimet romantike, eventet sociale, apo edhe komunikimet e përditshme.
Sipas saj, kur mëson të përdorësh ngjyrat në mënyrë të vetëdijshme, ndalon së lëni përshtypjen e parë në dorë të rastësisë.
Cila është ngjyra që ju bën të dukeni më të afrueshëm?

Ekspertët e psikologjisë së ngjyrave thonë se disa nuanca krijojnë menjëherë ndjesi ngrohtësie, besimi dhe afërsie.
Ngjyrat e buta dhe të ngrohta, si bluja e çelët, bezha, roza e lehtë, apo tonet pastel, shihen zakonisht si më miqësore.
Këto ngjyra i bëjnë njerëzit të duken më të hapur, më të qetë dhe më të lehtë për t’u afruar.
Ngjyrat që mund t’ju bëjnë të dukeni “të paarritshëm”

Nga ana tjetër, disa ngjyra mund të krijojnë efektin e kundërt, sidomos kur kombinohen me një stil shumë formal apo të ftohtë.
Sipas ekspertëve, nuancat shumë të errëta ose shumë të forta mund ta bëjnë një person të duket më distant apo më pak i afrueshëm.
Mes tyre përmenden shpesh e zeza totale, grija shumë e errët, apo nuancat shumë intensive të së kuqes.
Kjo nuk do të thotë se këto ngjyra duhen shmangur, por se ato përcjellin autoritet, seriozitet dhe distancë më shumë sesa ngrohtësi./mxh
