Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka ankimuar këtë të hënë zyrtarisht përjashtimin e tij nga gara për kryetar të PD-së.
Në kërkesën drejtuar kryesisë së Partisë Demokratike, Salianji pretendon se nuk është njoftuar zyrtarisht për asnjë masë disiplinore ndaj tij, ndërsa akuzon drejtuesit e PD-së se kanë vepruar në kundërshtim me statutin, duke mos pranuar dokumentacionin e kandidimit të tij për garën për kryetar partie.
Ai është shprehur se përfaqësuesit e tij nuk janë lejuar të dorëzojnë dokumentet në selinë e PD-së, ndaj ato janë dërguar me postë dhe email.
Sipas kërkesës, Salianji ka reaguar edhe ndaj deklaratave të sekretarit ligjor të PD-së, Ivi Kaso, sipas të cilit Salianji nuk plotësonte kriteret për të qenë kandidat, pasi nuk konsiderohej më anëtar i PD-së për shkak të pretendimeve për lidhje të papërshtatshme me persona të krimit të organizuar.
Në kërkesën e tij, Salianji mohon kategorikisht akuzat dhe kërkon që çdo pretendim ndaj tij të bëhet publik dhe të mbështetet me prova. Ai shprehet se nuk ka asnjë vendim të zbardhur për përjashtimin e tij nga partia dhe se procedurat statutore nuk janë respektuar.
Po ashtu, Salianji argumenton se kandidimi i Sali Berishës bie ndesh me statutin e PD-së. Sipas tij, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, mandatit të Berishës si kryetar i PD-së i ka përfunduar automatikisht dhe statuti nuk i lejon rikandidimin në zgjedhjet pasardhëse për kreun e partisë.
Në dokument, Salianji përmend edhe shpalljen “non grata” të Berishës nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, duke pretenduar se akuzat ndaj tij janë më të rënda se ato që PD pretendon ndaj vetë Salianjit.
Ai ka kërkuar gjithashtu shpalljen të pavlefshme të çdo vendimi për përjashtimin e tij nga PD, anulimin e vendimit të KOKOE-së dhe shqyrtimin e përputhshmërisë me statutin të vendimeve të marra nga Kryesia e PD-së./A.D
