Last Updated on 22/10/2026 by Anisa
Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka publikuar pamje nga rrugët e Tiranës, ku duken pasojat e dhunës gjatë protestave të ditëve të fundit. Pamjet janë filmuar teksa ajo po shkonte drejt Kuvendit, ku sot do të mbahet seanca plenare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Çaushi ka shprehur shqetësimin për dëmet e shkaktuara, duke theksuar se pas institucioneve të dëmtuara dhe bizneseve të shkatërruara qëndrojnë njerëz që punojnë dhe familje që sigurojnë jetesën me mundin e tyre.
Në mesazhin e saj, deputetja u bën thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve, që pakënaqësitë dhe shqetësimet t’i shprehin përmes dialogut dhe jo dhunës.
Reagimi i plotë i deputetes Zegjine Çaushit:
“Mirëmëngjesi, të dashur miq!
Teksa po shkoj sot në seancë plenare, rrugëve të Tiranës, pasojat e dhunës së ditëve të fundit janë të dukshme.
Dhe natyrshëm më lind pyetja: A është kjo Tirana që duam të shohin të gjithë? Pas këtyre pamjeve ka më shumë sesa dëme materiale. Pas çdo institucioni të dëmtuar ka njerëz që punojnë dhe pas çdo biznesi të shkatërruar ka familje që jetojnë me mundin dhe sakrificat e tyre.
Çdo pakënaqësi juaja meriton të dëgjohet dhe çdo shqetësim meriton zgjidhjen e duhur. Zgjidhja e duhur vjen përmes dialogut, jo dhunës.
Të dashur të rinj dhe të reja, Tirana dhe Shqipëria meritojnë të ecin përpara me qetësi, përgjegjësi dhe sytë nga Europa.”/ad
Zgjidhja është dialogu, jo dhuna! Tirana dhe Shqipëria meritojnë qetësi, përgjegjësi dhe një të ardhme europiane. 🇦🇱🇪🇺
