Italianët ishin vizitorët që mbizotëruan në strukturat akomoduese gjatë muajit të tretë të vitit, duke zënë rreth 30% të totalit.
Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi strukturat akomoduese tregojnë se të dytët ishin vizitorët nga Kosova, me 12%, të ndjekur nga Gjermania me 7%, Mbretëria e Bashkuar me 6% dhe Franca me 5%. Ndërkohë, 40% e vizitorëve erdhën nga tregje të tjera të shpërndara.
Sipas të dhënave, numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 20.8% në mars 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, i nxitur si nga turistët vendas, ashtu edhe nga ata të huaj.
Vizitorët rezidentë u rritën me 15.9%, ndërsa vizitorët jorezidentë shënuan një rritje më të fortë prej 23.7%, duke reflektuar kërkesën në rritje nga tregjet ndërkombëtare.
Rritja e kërkesës në mars u lidh jo vetëm me promovimin e vazhdueshëm të Shqipërisë si destinacion turistik, por edhe me faktin që vendi shihet si më i largët nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Qeveria dhe turoperatorët kanë deklaruar se një pjesë e vizitorëve që kishin plane udhëtimi drejt destinacioneve pranë zonave të konfliktit mund të zgjedhin destinacione të reja, ku Shqipëria shihet si një prej alternativave.
Edhe netqëndrimet ndoqën një ecuri pozitive, duke u rritur me 12.8% në total. Vizitorët e huaj kontribuuan më shumë në këtë rritje, me 14.4%, krahasuar me 9.8% për rezidentët.
Pavarësisht rritjes së flukseve, norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele mbeti relativisht e ulët, në 18.5%, vetëm pak më e lartë se 18.1% një vit më parë.
Viti 2026 nisi më ngadalë në drejtim të rritjes turistike. Në dy muajt e parë u regjistrua fillimisht një rënie dhe më pas një rritje e papërfillshme, ndërsa në vijim ecuria raportohet të jetë pozitive. Edhe për sezonin veror, pritshmëritë mbeten optimiste./monitor-A.D
