Tym i dendur mbuloi jugun e Libanit këtë të hënë, pasi Izraeli ndërmori sulme ajrore në zonë, ndërsa Hezbollah njoftoi për sulme të reja kundër forcave izraelite.
Përplasjet mes Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani janë intensifikuar sërish pas konfliktit SHBA-Iran, megjithëse presidenti amerikan Donald Trump kishte shpallur një armëpushim më 16 prill.
Sipas një zyrtari libanez, një zgjatje 45-ditore e armëpushimit hyri në fuqi në mesnatë, pas raundit të tretë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara mes Libanit dhe Izraelit.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike po zhvillohen paralelisht me negociatat më të gjera për përfundimin e konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit. Teherani ka deklaruar se ndalimi i luftës së Izraelit në Liban është një nga kushtet për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë rajonale.
Hezbollah ka kundërshtuar bisedimet mes Bejrutit dhe Izraelit.
Forcat izraelite vazhdojnë të mbajnë nën kontroll një zonë sigurie të vetëshpallur në jug të Libanit, ku sipas autoriteteve izraelite po shkatërrohen fshatra për të parandaluar sulmet e Hezbollahut ndaj veriut të Izraelit.
Ministria libaneze e Shëndetësisë raportoi se numri i viktimave që prej nisjes së luftës më 2 mars ka arritur në 2 mijë e 988 persona, mes tyre gra, fëmijë dhe punonjës të shëndetësisë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur sa prej viktimave janë luftëtarë të Hezbollahut./MXH
