“Miti që Sali Berisha fiton është i rremë”. Ervin Salianji ka kritikuar drejtimin aktual të Partisë Demokratike, duke theksuar se pa demokratizim të brendshëm dhe ndryshim të lidershipit, opozita nuk mund të rikthehet fituese në zgjedhje.
I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, Salianji komentoi situatën brenda PD-së dhe ndikimin që, sipas tij, ka lidershipi në rezultatet elektorale të partisë. Ai argumentoi se në një sistem ku kryetari ka rol vendimtar në hartimin e listave dhe ofertës politike, figura e liderit bëhet faktori kryesor që ndikon në votën e qytetarëve.
Sipas ish-deputetit demokrat, çdo përpjekje për ndryshim brenda partisë mbetet e pamjaftueshme nëse në krye vijon të qëndrojë Berisha.
“Çdo lëvizje brenda Partisë Demokratike është e pamjaftueshme nëse Sali Berisha qëndron kryetar. Lideri e tërheq ose e largon partinë”, deklaroi ai.
Salianji tha se Berisha, pavarësisht kontributeve të tij në të kaluarën, sot është kthyer në një pengesë për fitoren e PD-së. Ai përmendi konsumimin politik të liderit demokrat, raportet me ndërkombëtarët, si edhe perceptimin e opinionit publik si faktorë që, sipas tij, ndikojnë negativisht te opozita.
Më tej, ai theksoi se i njëjti ekip drejtues që prej vitit 2013 nuk mund të sjellë rezultate të ndryshme pa ndryshuar qasjen dhe strukturën e drejtimit.
“Nuk mund të presësh rezultat tjetër me të njëjtët njerëz dhe të njëjtën mënyrë funksionimi”, u shpreh Salianji.
Ai kritikoi gjithashtu idenë se përgjegjësia për humbjet zgjedhore i takon elektoratit, duke nënvizuar se një parti politike duhet të reflektojë nëse nuk arrin të bindë votuesit.
“Nuk mund t’i thuash popullit që gabon. Populli bën zgjedhjet e veta, nëse nuk të pranon, ndryshon partia, jo populli”, tha ai.
Në përfundim, Salianji hodhi poshtë perceptimin se Berisha është domosdoshmërisht i lidhur me fitoret elektorale të Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë si një mit të krijuar brenda dhe jashtë partisë, ndërsa theksoi se pa demokratizim të brendshëm dhe një qasje të re politike, PD e ka të vështirë të rikthehet konkurruese në zgjedhje.
