Ministri francez i Financave, Roland Lescure, deklaroi se vendet e G7 janë dakord që ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet dhe tregtia globale të rikthehet në normalitet, pas takimit të ministrave të financave të ekonomive më të mëdha të botës.
Lescure paralajmëroi se sa më gjatë të mbetet e bllokuar rruga strategjike detare, aq më të mëdha do të jenë pasojat për ekonominë globale. Ai theksoi gjithashtu se vendet e G7 kanë rënë dakord që Rusia të mos përfitojë nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Sipas ministrit francez, aleatët perëndimorë mbeten të përkushtuar për të ushtruar presion ndaj Moskës përmes sanksioneve dhe masave ekonomike, me qëllim ndalimin e financimit të luftës në Ukrainë.
Në konferencën për shtyp, Lescure nënvizoi se është bërë përparim i madh për mbulimin e nevojave financiare të Ukrainës, ndërsa shtoi se Kievi duhet të vijojë reformat e kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë. Ai konfirmoi gjithashtu angazhimin për financimin e riparimit të strukturës mbrojtëse në centralin bërthamor të Çernobilit.
Ministri francez deklaroi se vendet e G7 ndajnë të njëjtin shqetësim edhe për çekuilibrat në tregtinë globale, të cilët sipas tij janë të paqëndrueshëm dhe duhet të marrin fund. Për këtë arsye, shtetet anëtare do të ndërmarrin masa të brendshme ekonomike, të cilat do të monitorohen nga FMN-ja dhe OECD-ja./mxh
