Reshjet e dendura të shiut kanë vijuar të godasin jugun dhe qendrën e Kinës, duke shkaktuar përmbytje masive dhe të paktën 18 viktima. Autoritetet kineze raportojnë se situata ka detyruar mbylljen e shkollave dhe bizneseve, ndërsa janë ndërprerë transporti dhe furnizimi me energji elektrike në disa zona.
Sipas agjencisë meteorologjike kineze, provincat Jiangxi, Anhui, Hunan, Hubei, Guizhou, Guangxi, Guangdong dhe Hainan përballen me rrezik të lartë nga rrëshqitjet e dheut, përmbytjet e menjëhershme dhe bllokimet urbane nga uji.
Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror CCTV tregojnë ekipet e emergjencës teksa evakuojnë banorët, rrugë të shembura dhe ushtrinë e angazhuar për pastrimin e zonave të prekura nga fatkeqësia.
Qeveria kineze ka akorduar 150 milionë juanë, ose mbi 22 milionë dollarë, për përballimin e situatës dhe ka shpallur gjendjen e emergjencës në disa rajone të prekura.
Meteorologët shpjegojnë se reshjet intensive, të cilat janë shtrirë në një zonë mbi 1 mijë kilometra, janë shkaktuar nga përplasja e masave të lagështa ajrore që vijnë nga Gjiri i Bengalit, Deti i Kinës Jugore dhe Oqeani Paqësor. Lëvizja e ngadaltë e sistemit atmosferik ka sjellë edhe sasi të mëdha reshjesh në të njëjtat zona.
Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës paralajmëron se moti i rënduar do të zhvendoset gradualisht drejt lindjes dhe jugut të vendit gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa reshjet më intensive priten përgjatë lumit Jance./mxh
