Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të forcojnë veprimet kundër rrjeteve financiare të Iranit, duke kërkuar bashkëpunim më të gjerë në identifikimin dhe goditjen e burimeve të financimit të terrorizmit.
Në një konferencë të mbajtur pas takimit të ministrave të financave të G7 në Paris, Bessent tha se vendet partnere duhet të ndërmarrin masa më të ashpra ndaj Iranit, përfshirë identifikimin e financuesve, mbylljen e kompanive fasadë dhe goditjen e rrjeteve bankare të fshehta.
Ai theksoi gjithashtu se këto përpjekje duhet të shtrihen edhe në Lindjen e Mesme dhe Azi, me qëllim shkatërrimin e rrjeteve të ashtuquajtura “bankare në hije” dhe atyre të transportit që përdoren për shmangien e sanksioneve.
Sipas tij, Departamenti i Thesarit po rishikon dhe po modernizon sistemin e sanksioneve, duke hequr disa emërtime të vjetruara dhe duke u fokusuar te rrjetet më të sofistikuara të financimit të terrorizmit dhe shmangies së sanksioneve.
Bessent u shpreh se sanksionet duhet të jenë të synuara dhe efektive, duke shtuar se ato nuk duhet të ndëshkojnë popullsitë, por të ndryshojnë sjelljen e aktorëve të caktuar. Ai paralajmëroi se masat e zgjatura pa rezultate konkrete mund të sjellin pasoja afatgjata të padëshiruara.
Ai shtoi se administrata amerikane do të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të sanksioneve për të rritur efektivitetin, duke përmendur si shembuj ndryshimet në qasjen ndaj Sirisë dhe Venezuelës./mxh
