Last Updated on 19/05/2026 by EL
Rolando Maran është trajneri i ri i Kombëtares shqiptare. Italiani pasoi Silvinjon, që u largua pas më tepër se tre viteve në stolin kuqezi.
“Panorama Sport” iu sjell disa prapaskena interesante nga karriera e Maran. Ishte fundi i vitit 2023, kur për herë të parë mund të largohej nga Italia. Trajneri i ri i Shqipërisë zbulonte pasi po punonte me Breshian:
“Çfarë po mungon? Europa. Do të doja të kisha një përvojë jashtë vendit, për të zgjeruar horizontet e mia. Pata mundësinë disa vite më parë dhe së fundmi u thirra nga një ekip kombëtar. Por preferova të kthehesha te Breshia”, u shpreh italiani.
Ndërkohë klubi i fundit që u interesua për shërbimet e Maran ishte pikërisht Empoli. Në muajin mars, 62-vjeçari u përmend në listën e kandidatëve që duhet të shpëtonin klubin nga rënia në Serinë C. Në fund ishte Fabio Kaserta që u besua dhe ia doli për këtë objektiv./et
